Përfundimi i Projektit “Fuqizimi dhe aftësimi i të rinjve shqiptarë drejt aktivizmit”

Gjatë vitit 2015, në kuadër të projektit “Fuqizimi dhe aftësimi i të rinjve shqiptarë drejt aktivizmit”, Fondacioni publikoi një thirrje për aktivistë nga e gjithë Shqipëria me fokus përmirësimin e qeverisjes vendore. Pas kalimit të  fazave të aplikimit online dhe intervistimit, u përgjodhën 30 të rinj të moshës 18-29 vjeç nga Tirana, Preza, Kashari, Lezha, Shkodra, Kukësi, Dibra, Pogradeci, Librazhdi, Cërriku, Vlora dhe Fieri. Projekti u fokusua në fusha si transparenca e qeverisjes vendore, rinia, kultura, mjedisi dhe siguria ushqimore, prioritete këto të ardhura nga vullneti i lirë i aktivistëve për të ndryshuar diçka në qytetin ku banojnë, për të zgjuar reagimin qytetar dhe për përmirësimin e shërbimeve publike në nivel vendor.

Përgjatë dy muajve të parë aktivistët u trajnuan për të përmirësuar njohuritë dhe kapacitetet e tyre mbi aspektet ligjore, qeverisjen vendore, reformën administrative-territoriale, aktivizmin në tërësi, përdorimin e medias sociale si dhe krijimin e komunitetit rreth një kauze ku lektorë dhe folës të ndryshëm prezantuan eksperiencat dhe përvojën e tyre. Një metodologji e qartë iu bashkangjit punës së aktivistit në fazën përgatitore dhe zbatuese të planit të punës në terren në bashkëpunim të ngushtë me personelin e projektit, me njëri-tjetrin dhe me rrjetet e krijuara.  

Gjatë  periudhës tetor-dhjetor 2015, u realizuan një sërë aktivitetesh dhe fushatash nëpër qytete të ndryshme. Ҫështjet mbi të cilat u ngritën këto fushata ishin: promovimi i kulturës të Prezës nga të  rinjtë; rehabilitimi i lumit Shkumbin dhe Gjanica, zaptimi i hapësirave publike Shkodër, siguria ushqimore në tregun e Dibrës dhe Shkodrës, buxhetimi me pjesëmarrjen e të rinjve në Cërrik; krijimi i Bordeve Rinore Këshillimore në Pogradec dhe Lezhë; ngritja e një qendre kulturore multifunksionale në Vlorë; ngritja e një bibloteke komunitare në Kashar; përmirësimi i infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar në sistemin arsimor; dhe aktivizmi i jetës kulturore në Kukës.

Për më shumë informacion mbi aktivizmin e të rinjve dhe për të ndjekur më shumë aktivitetet që ata kryejnë, shkarkoni dokumentin ku janë të paraqitura faqet e tyre të aktivizmit, dhe ju ftojmë ti ndiqni në vazhdim.