Konsultimi publik lidhur me Reformën në Drejtësi | Forumi i parë rajonal Shkodër

16 June 2015

Tashmë pas prezantimit të Dokumentit Analitik të situatës të sistemit të drejtësisë në 8 qershor 2015, grupi i ekspertëve të nivelit të lartë të angazhuar në varësi të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi ka nisur turin e konsultimeve publike në rrethe të ndryshme të vendit. Forumi i parë rajonal për Reformën në Drejtesi u organizua në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër më 16 qershor 2015.

Në këtë forum morën pjesë një numër i lartë pedagogësh të së drejtës, gjyqtarë, avokatë, përmbarues, prokurorë dhe studentë të Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër. Problematikat e edukimit ligjor dhe arsimit juridik në Shqipëri, infrastruktura dhe sfidat që ato paraqesin ishin në qendër të këtij forumi. Prezantimi i gjetjeve dhe konkluzioneve të punës të ekspertëve të angazhuar për këtë tematikë u pasuan nga diskutimet e të pranishmëve në këtë aktivitet. 

Edukimi dhe konsultimi publik me palët e interesuara është parakusht i rëndësishëm për të siguruar transparencën, gjithëpërfshirjen dhe thithjen e kontributit të të gjithë aktorëve në një proces me rëndësi kombëtare, siç është reforma në sistemin e drejtësisë.

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, i cili përshëndeti këtë forum theksoi se “sistemi i drejtësisë nuk i shërben vetëm avokatëve, gjyqtarëve apo prokurorëve. Në rradhë të parë ai i shërben të gjithë qytetarëve. Ndaj kjo reformë duhet të ketë autorësi kombëtare”.

Ky forum do të ndiqet nga një sërë diskutimesh të tjera publike në rrethe të ndryshme të vendit. Për më shumë informacion, lidhur me procesin e konsultimit publik shihni kalendarin duke klikuar këtu.