Prezantohet Platforma Financat Vendore

03 December 2015

Instituti për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN) dhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (Soros) në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore prezantuan Portalin e të Dhënave Financiare të Bashkive.

Në këtë aktivitet promovues morën pjesë Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Financave, Zj. Gelardina Prodani, Drejtori i Përgjithshëm i Buxhetimit dhe Financave të Qeverisë Vendore, Z. Fran Brahimi, Këshilltari pranë Ministrit të Shtetit për Çështje Vendore, Z. Enea Hoti, përfaqësues nga agjencitë donatore, dhe projekte të ndryshme, përfaqësues nga disa njësive të qeverisjes vendore (NjQV), dhe organizata të shoqërisë civile, etj.

Të ftuarit (rreth 65 përfaqësues), vlerësuan platformën "Financat Vendore" si një instrument shumë të dobishëm në duart e NjQV-ve, shoqërisë civile, botës akademike, ekspertëve të fushës, dhe studentëve, etj.

Përgjatë prezantimit, përfaqësuesit nga dy ministritë u ndalën në rëndësinë e standartizimit të raportimeve financiare për NJQV-të për të lehtësuar mbledhjen, përpunimin dhe krahasueshmërinë mes njësive por dhe mes momenteve të ndryshme në kohë. Zj. Prodani shprehu gatishmërine e Ministrisë së Financave për të ushqyer platformën e financave vendore me të dhëna në mënyrë sistematike, duke garantuar kështu vazhdimësinë dhe pasurimin e platformës në vite.

Financat Vendore është një platformë informacioni për performancën fiskale dhe financiare të njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri që ndërton mbi parimin Qeverisja e hapur është Qeverisje e Përgjegjshme.

Platforma mundëson, jo vetëm ndarjen e të dhënave financiare dhe fiskale të njësive të qeverisjes vendore për periudhën 2008 - 2014, por edhe analiza krahasimore të tyre për, duke ofruar në këtë mënyrë një instrumet të fuqishëm për monitorimin e performancës financiare dhe fiskale të NJQV-ve, rritjen e transparencës në qeverisje dhe përmirësimin e vendimmarrjes së informuar.

Financat Vendore i vjen në ndihmë Organizatave të Shoqërisë Civile, Niveleve Qeverisëse, Medias, Universiteteve dhe Instituteve Kërkimorë, Profesionistëve të fushës, Qytetarëve, Shoqatave të Njësive të Qeverisjes Vendore, dhe aktorëve të tjerë të interesuar për të aksesuar, kuptuar, monitoruar dhe përdorur në mënyrë analitike të dhënat mbi performancën financiare në nivel vendor në Shqipëri.

Aktualisht, platforma ofron analiza krahasimore bazuar në tregues financiarë, fiskalë, etj., për periudhën 2008-2014, në variantet para dhe post reformës territoriale administrative, përkatësish 373 NJQV dhe 61 NJQV. Platforma do të zhvillohet më tej në kuadër të projektit LëvizAlbania, duke u pasuar më tej në bazë të dhënash dhe tipologji analizash krahasimore të ofruara.

Platforma dixhitale “Financat Vendore” vjen si një bashkëpunim në kuadër të projektit “Monitorimi Sistematik i Situatës Financiare dhe Praktikave të Manaxhimit Financiar në Nivel Vendor”, një bashkëfinancim i Fondacionit të Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë dhe Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit me mbështetjen e vazhduar të Ministrisë së Financave dhe Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.

Ju ftojmë të njiheni dhe të përdorni sa më shumë platformën: www.financatvendore.al.

Për të aksesuar axhendën e gjeni këtu, ndërsa dy nga prezantimet e mbajtura Prezantimi FIbrahimi MF dhe Prezantimi i portalit CO-PLAN .

Për të parë albumin fotografik të aktivitetit klikoni këtu