Takime me përfaqësues të shkollave 9-vjeçare

Përgjatë dt. 10 dhe 12 Korrik, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, organizoi takime me përfaqësues të disa shkollave 9-veçare në rrethet e Tiranës, Kukësit, Shkodrës, Vlorës dhe Korçës në kuadër të projektit “Një qasje e mendimit kritik që nxit dhe edukon shkolla për zbutjen dhe trajtimin e varfërisë në shoqëri” i cili synon edukimin e nxënësve të arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar me konceptin e varfërisë, me indikatorët që tregojnë ekzistencën e saj, tendencat e zhvillimit të saj në botë dhe në Shqipëri, si dhe me masat për reduktimin e saj.

Në takim morën pjesë drejtues të shkollës, mësues, prindër dhe nxënës të cilët u prezantuan me përmbajtjen e projektit si dhe me strukturën e Manualit të mësuesit dhe Fletores së nxënësit të cilat janë duke u zhvilluar nga ekspertët e projektit për tu përdorur më pas nga mësuesit dhe nxënësit e shkollave ne te cilat do të shtrihet projekti. Nisma parashikon trajnimin e inspektorëve të Drejtorive Arsimore Rajonale të cilët do të realizojnë trajnimin e mësuesve në funksion të përdorimit të efektshëm të Manualit të mësuesit dhe Fletores së nxënësit.

Në takim u diskutuan gjerësisht problemet dhe nevojat me të cilat përballen shkollat e përfaqësuara në takim. Një prej përfaqësuesve të shkollës Marigo Pocio, Vlorë tha se “në shkollën tonë përqindja e nxënësve të varfër është mjaft e lartë, ata e kanë vështirë të ushqehen jo më të mendohet për libra apo mjete mësimore. Çdo klasë ka rreth 10-12 nxënës të varfër dhe kjo na vë në vështirësi”

Ndërkohë që shtimi i papunësisë dhe numri në rritje i divorceve në familjet e nxënësve u përmend si një tjetër problem i thekshëm që ndikon në këtë shkollë.