Beograd – Sa të përfshirë janë qytetarët në ndryshimin e realiteteve në Ballkanin Perendimor?

18 Shkurt 2019

Beograd – Sa të përfshirë janë qytetarët në ndryshimin e realiteteve në Ballkanin Perendimor? Kjo ishte tema mbi të cilën diskutuan pjesëmarrësit e Seminarit Rajonal të organizuar nga zyra e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), me seli në Beograd, Serbi.
Pjesë e tij ishte edhe ekipi i LevizAlbania, i përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Shoqëria e hapur për Shqipërinë”, Z.Andi Dobrushi, i cili drejton edhe konsorciumin e projektit LevizAlbania. 
Seminari solli përvojën e projekteve të financuara nga SDC zbatuar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut  dhe Serbi. Nga diskutimet doli si domozdoshmëri, nevoja për një promovim më të madh të këtij angazhimi nga ana e  grupeve të interesit. 
Z. Dobrushi, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e bashkëveprimit të organizatave të shoqërisë civile me komunitetet. Sipas tij forcimi i kësaj marrëdhënieje do të garantojë rritjen e ndikimit dhe qëndrueshmërisë së objektivave të tyre. 
“Pa grupimet e qytetarëve dhe grupet e interesit, organizatat e shoqërisë civile mbeten të fragmentarizuara dhe ndikimi i tyre i kufizuar“, u shpreh ai. 
Kjo qasje u mbështet edhe nga pjesëmarrësit e tjerë në seminar. Për të gjithë promovimi i angazhimit qytetar në vendet e Ballkanit Perendimor  kërkon ngritjen e urave të bashkëpunimit dhe sinergjisë mes të gjithë faktorëve të ndryshimit.