Diskutimi i projektligjit të ri “Për të drejtën e informimit”

30 Qershor 2014

Në datën 28 mars 2013, Ministria e Drejtësisë organizoi një tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të ministrive të linjës dhe partnerë ndërkombëtarë për të diskutuar projektligjin e ri të hartuar “Për të drejtën e informimit”. Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros ka ofruar ekspertizën e tij për rishikimin e plotë, të kujdesshëm dhe tejet profesional të ligjit nr. 8503, datë 30.6.1999 “Për të drejtën e informimit mbi dokumentat zyrtar” për ta sjellë atë në përputhje me standartet më të mira ndërkombëtare në këtë fushë.

Fondacioni Soros prej shumë vitesh tashmë i është përkushtuar seriozisht dhe në mënyrë profesionale respektimit të së drejtës së informimit. Përmes një sërë studimesh, raportesh dhe monitorimesh të drejtpërdrejta, Fondacioni Soros ka ngritur shqetësimin dhe ka sensibilizuar institucionet shtetërore, por dhe opinionin publik për nivelin e ulët të respektimit të së drejtës së informimit dhe nevojën e rishikimit tërësor të ligjit ekzistues.

Rëndësia e të drejtës së informimit qëndron në faktin se ajo është një parakusht për një qeverisje demokratike. E drejta e informimit është një drejtë themelore e individit dhe një parim që garanton transparencën në qeverisje, demokracinë dhe pjesëmarrjen e individit në proceset politikë-bërëse dhe vendim-marrëse. Realizimi i kësaj të drejte ndihmon në rritjen e besimit të publikut, përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore si dhe vendosjen një marrëdhënie reciproke midis qeverisë dhe qytetarëve të saj.

Ndër vite vihet re një shtim i masës së informacionit publik kjo si rezultat i maturimit të marrëdhënieve shtet-individ në një shoqëri me demokraci të brishtë si kjo e jona, shtimit të përpjekjeve për të aderuar në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë e europianë, si dhe zhvillimeve të teknologjisë së informacionit. Deri më tani është bërë progres përmes miratimit të një serie të tërë ligjesh e rregulloresh që e shtyjnë gjithë makinerinë shtetërore shqiptare drejt transparencës. Në veçanti, futja me hapa galopante e teknologjisë së informacionit në sektorë vitalë të qeverisjes si në tatime, prokurime, botime të informatizuara ka përmirësuar ndjeshëm transparencën e institucioneve publike.

Megjithatë, zbatimi i së drejtës së informimit mbetet ende mjaft hapa mbrapa krahasuar me standartet europiane që ne si shoqëri aspirojmë të përqafojmë. Vlerësimi Botëror i të Drejtës së Informimit, e cila është analiza e parë në shkallë botërore e legjislacioneve në këtë fushë, e rendit Shqipërinë në vendin e 69, nga 93 vende gjithsej ndërkohë që Serbia, Kroacia, Maqedonia dhe Kosova rezultojnë të kenë kuadër ligjor më të mirë se Shqipëria duke u pozicionuar përkatësisht në vendin e 1, 9, 16 dhe 17.

Projektligji i ri “Për të drejtën e informimit” i hartuar nga Ministria e Drejtësisë me asistencën e Fondacionit Soros parashikon disa koncepte novatore dhe garanci konkrete për të siguruar zbatueshmërinë e tij në praktikë. Ky projektligj synon të rregullojë paqartësinë që ligji i mëparshëm krijoi në raport me të drejtën e informimit mbi veprimtarinë e organeve shtetërore të parashikuar në Kushtetutën e R.SH si dhe e përafron atë me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Projektligji i ri sjell risi përsa i takon procedurave dhe afateve të dhënies së informacionit; vendos një rregjim të mirëpërcaktuar për kufizimin e kësaj të drejte, por gjithmonë duke prevaluar mbrojtja e interesit më të madh publik; nxit kulturën e transparencës përmes publikimit në mënyrë proaktive të një kategorie më të gjerë informacionesh nga ana e autoriteteve publike si dhe vendos një mekanizëm eficient me fuqi vendimmarrëse për mbikqyrjen e këtij ligji kompetent si ndaj subjekteve publike dhe atyre private.