Drejt Evropës përmes Drejtësisë

30 Qershor 2014

Unioni i Gjyqtarëve dhe Universiteti Luarasi organizuan në datën 4 maj 2012 për herë të parë në Shqipëri një konferencë, e cila solli bashkë gjyqtarët, prokurorët, juristët e akademikët shqiptarë me gjyqtarët e juristët evropian për të diskutuar mbi reformën gjyqësore në Shqipëri. Konferenca me temë "Reforma gjyqësore, si një ndër 12 prioritetet e sfidës së integrimit të Shqipërisë në BE" është një përpjekje serioze për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, si rruga më e sigurtë drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kreu i Unionit të Gjyqtarëve, Z. Ervin Metalla dhe rektori i Universitetit Luarasi, Z. Kristaq Traja mbajtën fjalimet hapëse të konferencës. Z. Traja u përqëndrua në fjalimin e tij tek tejzgjatja e proceseve gjyqësore, si një prej problemeve më shqetësuese të drejtësisë. Ai u shpreh se në fund të kësaj konference do të propozohet hartimi i një projektligji që do t’i japë të drejtë individit të gëzojë të drejtat e tij në procesin gjyqësor brenda një kohe të arsyeshme. Do të kërkohet gjithashtu dëmshpërblimi i qytetarit për të drejtën e vonuar. Ndërsa Z. Metalla nga ana e tij u shpreh se “kjo konferencë nxiti debatin akademik dhe profesional mbi reformën e gjyqësorit, duke synuar t’i qëndrojë sa më larg retorikave të padobishme në këtë aspekt”.

E përshëndetën këtë konferencë edhe dy bashkëfinancuesit: Z. Joseph Williams, Drejtori i Misionit të USAID në Shqipëri dhe Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros, Z. Andi Dobrushi, i cili u shpreh se “reformimi i sistemit të drejtësisë kërkon domosdoshmërisht zërin, trysninë dhe kontributin e vetë pushtetit gjyqësor. Për realizimin e drejtësisë në vend pa diskutim që gjyqësori duhet të rrijë larg politikës dhe anasjelltas, por kurrsesi gjyqësori dhe profesionistët e ligjit nuk duhet të qëndrojnë larg politikave dhe politikëbërjes”. Më pas ai e mbylli fjalën e tij duke theksuar se “Reforma në drejtësi është vërtet një ndër sfidat më madhore për integrimin e vendit në BE. Klasa politike dhe ajo gjyqësore duhet t’i bindin vendim-marrësit dhe qytetarët e BE-së që ne meritojmë integrimin, pasi të kemi bindur veten dhe qytetarët shqiptarë se e kemi seriozisht me drejtësinë”.
Më pas paraqitën prezantimet e tyre mbi reformën në gjyqësor gjyqtari Josep Casadevall, nënkryetar i Gjykatës Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ); Znj. Cherry Blair, avokate e njohur në arenën ndërkombëtare, Këshilltare e Mbretëreshës së Anglisë (QC); Prof. Dr. Ardian Nuni, anëtar i Gjykatës së Lartë; Prof. Dr. Mariana Semini, drejtoreshë e Magjistraturës; Dr. Ilir Panda, ish ministër drejtësie dhe ish Nën/Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Z.Gent Ibrahimi nga Instituti për Studime Publike dhe Ligjore.

Konferenca u mbyll nga Dr. Sokol Sadushi, ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese, i cili në fjalën e tij u shpreh se “Nëse procedura për përzgjedhjen e gjyqtarëve bëhet transparente, bazuar në një proces seleksionimi mbi kritere të rrepta shkencore, korrekt dhe të paanshëm, padyshim që edhe vendimmarrja refuzuese nga Kuvendi për kandidaturat për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese apo për Gjykatën e Lartë nuk do të kryhej aq lehtësisht sa ndodh praktikisht”.

Ndërsa Gjyqtari Ledi Bianku, gjyqtar i GJEDNJ, u përqëndrua tek çështja e kontrollit të gjyqtarëve. Ai u shpreh se gjyqtarët mund t’i gjykojnë vetëm ata që e bëjnë këtë duke u bazuar në kritere shkencore dhe profesionale juridike. Duke theksuar se ky do ishte gjykimi, dhe në të njëjtën kohë edhe mbrojtja më e mirë që mund t’i bëhej pavarësisë dhe profesionalizmit të pushtetit gjyqësor.

E moderuar nga gjyqtari i apelit Artur Metani dhe gjyqtari Ervin Metalla, i cili është njëherazi edhe kryetar i Unionit të Gjyqtarëve, konferenca u dha mundësi të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe pedagogëve të Universitetit Luarasi që të kontribonin në evidentimin e problematikave të gjyqësorit shqiptar, por edhe të ndërhynin me propozime konkrete për hapat që duhet të ndërmerren nga autoritetet përkatëse.

Kjo konferencë një ditore përveçse një mundësi e mirë për të ndarë qëndrimet mes gjyqtarëve shqiptarë dhe gjyqtarëve evropian, ishte një apel për të gjithë opinionin publik mbi rëndësinë që ka reforma në gjyqësor përsa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Konferenca evidentoi nevojën për më shumë hapësirë për zërin e profesionistëve dhe grupeve të interesit në debatin mbi reformën në drejtësi, duke mos e trajtuar atë si një ekskluzivitet të politikës.

Në fund të konferencës të gjitha prezantimet e prezantuara si dhe kontributet e dhëna gjatë diskutimeve do të përzgjidhen nga një bord editorial i përbërë nga akademikë të Universitetit Luarasi dhe gjyqtarë të Unionit të Gjyqtarëve dhe do të botohen në një botim të veçantë. Ky botim do të shërbejë si një udhërëfyes për reformën në gjyqësor duke shërbyer në hartimin e politikave më efektive në këtë sektor si dhe duke nxitur marrjen e masave konkrete në këtë drejtim.