ISP: Sa të informuar janë studentët? (UAMD)

26 Shkurt 2019

Studentët e fakulteteve juridike janë edhe përfituesit kryesorë të reformës në drejtësi. Sistemi i ri i drejtësisë, nëse do të funksionojë siç edhe është premtuar, do të kërkojë prurje të reja, profesionalistë të rinj, juristë që e bazojnë karrierën e tyre tek dija dhe aftësia dhe jo tek mbështetja politike. Anketimet me studentët dhe stafet akademike të disa universiteteve publike dhe private kanë treguar se 73% e tyre janë të painformuar sa duhet për reformën dhe institucionet e reja që ajo krijon. Kjo është edhe një arsye më shumë që Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka vijuar aktivitetet me studentët e fakulteteve juridike në disa universitete publike dhe private, për të debatuar mbi reformën në drejtësi, progresin e deritanishëm, pritshmëritë dhe problematikat.

Stacioni i radhës i ISP ishte në UAMD, me studentë master të fakultetit të shkencave politike dhe juridike, ku folës kryesorë ishin juristët profesorë të asociuar, Julejda Gerxhi dhe Ervin Karamuço. Temë e debatit ishte aktualitetit në ecurinë e reformës në drejtësi dhe problematikat që lidhen me mekanizmat e hyrjeve të reja në sistem. Pjesëmarrësit diskutuan mbi institucionet e reja, rolin e SPAK dhe të BKH, për vendin që zë në sistemin e ri Shkolla e Magjistraturës, për vlerësimin e procesit nga këndvështrimi i pritshmërive qytetare dhe pritshmërive në kuadër të integrimit, si dhe për bilancin e deritanishëm.

Aktiviteti ishte pjesë e angazhimeve të ISP në kuadër të projektit “Reforma në drejtësi: me qytetarët dhe për qytetarët. Nga ligjet tek jetësimi praktik. Informim, lobim dhe monitorim” mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në kuadër të programit mbi reformën në drejtësi.