ISP: Takim me studentë në Universitetin “Fan Noli” Korçë

12 Nëntor 2018

Në kuadër të projektit “Reforma në drejtësi: me qytetarët dhe për qytetarët. Nga ligjet tek jetësimi praktik. Informim, lobim dhe monitorim” mbështetur nga Fondacioni Shoqeria e Hapur per Shqiperine , ekspertët e Instituti i Studimeve Politike / Institute for Political Studies zhvilluan takimin e radhës me studentë në Universitetin “Fan Noli” Korçë. 
Pjesëmarrës në takim ishte edhe rektori i Universitetit Prof. Ali Jashari. Studentët pjesëmarrës u njohën me elementët e reformës në drejtësi dhe institucionet e reja që krijohen, si dhe debatuan mbi vlerësimet dhe pritshmëritë e reformës. Një nga treguesit më të rëndësishëm të suksesit të një reforme është besimi publik dhe impakti në jetën institucionale dhe të shoqërisë, - vlerësim që studentët ndanë edhe për reformën në drejtësi. Ata ngritën problematika që lidhen edhe me gjendjen e drejtësisë në qytetin e tyre dhe përvoja të ndryshme personale, si dhe theksuan nevojën e madhe që sistemi i ri të mundësojë një kalim cilësor nga eksperimentet e tranzicionit në modelet e institucioneve të së drejtës drejt një shteti më të konsoliduar. 
Ekspertët e ISP testuan njohuritë paraprake të studentëve mbi reformën dhe ndanë me ta elementë të veçantë të saj, si dhe nxitën krijimin e një networku studentor në të gjitha universitetet publike për të pasur më shumë vëmendje dhe pjesëmarrje në të gjitha etapat e reformës në drejtësi. 
Instituti i Studimeve Politike ka zhvilluar aktivitet të ngjashme në universitetet publike në Shkodër e Durrës, si dhe do të vijojë të ketë angazhime të tjera edhe në universitetet e tjera publike në vend.