KONFERENCA E IV-TË KOMBËTARE “PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT / PËR NJË LIGJ MË TË MIRË”

12 Qershor 2018

Prezantim i Sistemit Elektronik të Kërkesave për Informacion
www.pyetshtetin.al

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, organizuan “Konferencën IV Kombëtare Për të drejtën e informimit / Për një ligj më të mirë”. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues dhe koordinatorë të të drejtës për informim të institucioneve qendrore, atyre të pavaruara, të vetëqeverisjes vendore, të sistemit të drejtësisë, të organizatave të shoqërisë civile, të medias, etj.

Konferenca kishte për qëllim vlerësimin e zbatimit të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, shqyrtimin e problematikave të konstatuara në përmbushjen e detyrimeve të tij nga Autoritetet Publike dhe prezantimin e Sistemit Elektronik të Kërkesave për Informacion www.pyetshtetin.al .

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Z. Andi Dobrushi, në fjalën e tij theksoi se vihet re rritje e besimit të shoqërisë civile dhe opinionit publik, në tërësi, ndaj Zyrës së Komisionerit. Gjithashtu Z. Dobrushi prezantoi sistemin elektronik të kërkesave për informacion www.pyetshtetin.al, i cili është krijuar në bashkëpunim me zyrën e Komisionerit, në mbështetje të institucioneve shtetërore në drejtimin e rritjes së transparencës dhe lehtësimit të aksesit në informacion. Ky sistem elektronik i kërkesave për informacion është i pari sistem i këtij lloji i cili përmes teknologjisë së informacionit, i mundëson qytetarëve të adresojnë online kërkesat e tyre për informacion publik. 

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi disa prej arritjeve kryesore të punës së institucionit në zbatimin e ligjit. “Jemi në vitin e katërt të zbatimit të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe natyrisht, kemi një bilanc dhe eksperiencë pune mbi të cilën mund të mbështetemi dhe të debatojmë. Zyra e Komisionerit ka dhënë kontributin e saj për më shumë transparencë në prokurimet publike, koncesionet, shërbimin shëndetësor, sistemin arsimor, raportet e auditimit, procesin gjyqësor dhe arbitrazhin ndërkombëtar, vendimmarrjen e organit të prokurorisë, rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, etj.” – tha në fjalën e tij z. Dervishi.

Në aktivitet mbajtën prezantime z. Edgar Wagner, ekspert i “Projektit të Binjakëzimit Antikorrupsion”; znj. Eralda Methasani (Çani), pedagoge; znj. Ersida Sefa, përfaqësuese e Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” dhe znj. Ardita Shehaj, Drejtor i Drejtorisë për të Drejtën e Informimit.

Në Konferencë të pranishmit u njohën me 4 dokumenta. I pari u prezantua projekti i amendimeve të mundshme të ligjit 119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Ky moment shërben edhe si nisja e procesit të konsultimit publik për këtë akt. Gjithashtu, u prezantuan edhe iniciativat për përmirësimin e legjislacionit për mundësimin ligjor dhe praktik të komunikimit të drejtpërdrejtë të qytetarëve me institucionet publike, përmes adresimit të kërkesave për informim në rrugë elektronike (portali pyetshetin.al); vlerësimi i kapaciteteve dhe nevojave për forcimin e statusit të koordinatorëve të së drejtës së informimit; si dhe instrumenti i vetëvlerësimit për institucionet e pavarura. 

Raportin "Vlerësimi i kapaciteteve të koordinatorëve të së drejtës së informimit dhe njoftimit dhe konsultimit publik" e gjeni këtu

Nëpërmjet këtyre nismave, synohet që të rritet pjesëmarrja e individit/shoqërisë civile/medias në procesin e qeverisjes, si një nga elementët kryesorë të luftës kundër korrupsionit. Transparenca dhe llogaridhënia e Autoriteteve Publike është vitale për zhvillimin e demokracisë dhe kultivimi i kësaj kulture është detyrë e të gjitha institucioneve, duke përmirësuar funksionimin e tyre të brendshëm. Njëkohësisht, forcimi i rolit të koordinatorit të të drejtës për informim rrit përgjegjësinë e përmbushjes së detyrimeve të ligjit 119/2014, në mënyrë që të zbatohen standarde të unifikuara për qytetarët shqiptarë.