LevizAlbania prezanton 36 projektet fituese të Thirrjes V

17 Tetor 2018

LevizAlbania organzoi ceremoninë e shpalljes së projekteve fituese për Thirrjen Nr.5.

LevizAlbania Albania është projekti që synon të forcojë demokracinë vendore dhe përmirësojë qeverisjen vendore nëpërmjet mbështetjes së nismave konkrete të ideuara dhe zbatuara nga aktorët e shoqërisë civile, organizatat jo fitimprurëse dhe individët.

LevizAlbania financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave të suksesshme shqiptare si “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim” dhe “Co-PLAN”.

Projekti ka mbështur deri më tani rreth 130 projekte që kanë synuar dhe arritur të ndikojnë në forcimin dhe konsolidimin e demokracisë vendore, rritjen e transparencës, llogaridhënies, përgjegjshmërisë së të zgjedhurve vendorë, pjesëmarrjes qytetarë në vendimmarjet lokale, etj.

Projekti prezantoi më 17 Tetor projektet fituese të Thirrjes Nr.5. Janë 36 nisma të mbështetura nga LevizAlbania të cilat nisin implementimin në terren duke mbuluar 36 bashki të vendit nga 61 që janë në total.

Thirrja Nr.5 e LevizAlbania kishte tre drejtime kryesore nëpërmjet të cilit projekti synoi dhe ja doli të grumbullonte 264 aplikime duke mbuluar sektorë si: Mjedisi; Mbetjet Urbane; Rinia; Siguria Ushqimore; Transporti Publik; Shëndetësia; Kultura & Trashëgimia; Uji i Pishëm & Kanalizmet; Bujqësia; Barazia Gjinore, etj.

Gjatë ceremonisë së shpalljes së projekteve fituese të Thirrjes Nr.5, Drejtori i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Z. Andi Dobrushi, në cilësin e Kryetarit të Bordit të Granteve të LevizAlbania, theksoi se projekti ja ka dalë të zgjojë reagimin qytetar në çdo cep të Shqipërisë. “Projekti tashmë angazhon një spektër të gjërë aktorësh të shoqërisë civile të konkretizuara në më shumë se 22 projekte fituese nga Thirrja I, 19 projekte fituese nga Thirrja II, 31 projekte nga Thirrja III, 49 projekte nga Thirrja IV për një total prej 123 projekte fituese, pa përfshirë 36 projektet fituese nga Thirrja V. Kjo shifër mbase nuk është e mjaftueshme për të treguar punën e madhe që është bërë për të arritur deri këtu, por deri tani Ne kemi vlerësuar 230 aplikime nga Thirrja I, 206 aplikime nga Thirrja II, 224 aplikime nga Thirrja III, 374 aplikime nga Thirrja IV, dhe 264 aplikime nga Thirrja V, për një total prej 1,298 aplikimesh, shifra këto që tregojnë interesin e madh për këtë projekt në nivel kombëtar” – theksoi Z. Dobrushi.

Duke u tek impkati i projekteve në terren, Z. Dobrushi solli për të pranishmit disa të dhëna mbi thirrjet për aplikime të LevizAlbania. “Sot do të prezantojmë për të gjithë ju, 36 projekte fituese të Thirrjes V me një buxhet total prej 850,000 CHF. 36 ndërhyrje që i shtohen skuadrës së madhe të 133 projekteve që janë mbështetur deri tani nga LevizAlbania nga të gjitha instrumentat, me një financim që i kalon 4 milion CHF. 36 ndërhyrje konkrete që do të ndikojnë dhe synojnë të përmirësojnë sektorë si transparenca, qeverisja komunitare, fëmijët, shfrytëzimin e duhur të burimeve natyrore, mbajtjen e premtimeve prej të zgjedhurve vendorë, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik vendor, bujqësinë, pyjet, mbrojtjen e mjedisit dhe të hapësirave publike, etj. Projektet që do të shtrihen edhe në zona më pak të prekura nga projektet e donatorëve të tjerë sikunder janë bashkitë: Pustec, Belsh, Cërrik, Dropull, Bulqizë, Has, Kukës, dhe Tropojë” , përfundoi Z. Dobrushi.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe Zëvendes Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri Z. Philipp Keller, i cili inkurajoi organizatat e shoqërisë civile dhe individët të vijojnë të angazhohen përmes projektit LevizAlbania, që zvicra e mbështet në kuadër të rritjes dhe fuqizimit të transparencës së qeverisjes vendore dhe njëkohësisht për forcimin e aktivizmit qytetar. “Mundësitë për një qeverisje të mirë vendore janë më të medha kur për ta garantuar këtë angazhohen qytetarët dhe aktorët e shoqërise civile. Objektivi i këtij projekti është që grupet e shoqërisë civile dhe individët të angazhohen për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe komuniteteve të tyre, dhe ne do të vijojmë ta mbështesim këtë”, deklaroi Z. Keller.

Në përfundim të ceremonisë, Drejtoresha Ekzekutive e LevizAlbania Znj. Valbona Kuko vlerësoi rolin e projektit LA në arritjet e rezultateve të prekshme nga grantmarrësit e LA dhe përfituesit direkt të ndryshimit të prekshëm që janë qytetarët. Projekti ka mbështetur jo pak individë përpos organizatave të shoqërisë civile, kjo ka patur për qëllim rritjen e aktivizmit qytetar, gjenerimin e ideve dhe aksioneve nga qytetarët e thjeshtë, të cilët përveç identifikimit të problemeve që vijnë nga komuniteti kanë ditur ti japin zgjidhje në forma inovative dhe kreative problemeve të komunitetit të tyre.