Mbahet tryeza ‘Integrimi ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë dhe Kosovës’

07 Nëntor 2019

Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), organizoi në 7 Nëntor 2019 tryezën “Integrimi ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë dhe Kosovës: Pengesat, sfidat dhe potencialet”. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte diskutimi i gjetjeve të një studimi të ndërmarrë nga qendra ACIT me përfaqësuesit e biznesit dhe të institucioneve, me fokus monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve dy palëshe ne fushën ekonomike, identifikimin e barrierave të ndryshme, si dhe analizën e potencialeve të pashfrytëzuara midis dy vendeve.

Takimi u përshëndet nga Zëvendësministrja për Financat dhe Ekonominë, znj. Belinda Ikonomi, e cila përgëzoi organizatorët për angazhimin dhe cilësinë e studimit paraprak. Pasi shpjegoi angazhimet e institucioneve të Shqipërisë për lehtësimin e tregtisë midis dy vendeve, ajo vuri në dukje se: ‘Zbatimi i marrëveshjeve ka ecur me ritëm të kënaqshëm dhe angazhimi institucional ka qenë maksimal, për të bashkëpunuar dhe dëgjuar edhe kërkesat e biznesit në këtë drejtim. Ne po presim formimin e qeverisë së re në Kosovë, në mënyrë që të vazhdojmë punën dypalëshe për angazhimet e marra’.

Në fjalën e tij të hapjes, z. Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit për Shoqërinë e Hapur për Shqipërinë, u ndal tek ‘rëndësia e integrimit ekonomik në kontekstin dhe momentin historik në të cilin ndodhemi’. Ai theksoi: ‘Mbështetja për këtë projekt ka një qasje vizionare për të vazhduar edhe përgjatë vitit 2020shoqëruar me një plan veprimi konkret. Siç duket edhe nga gjetjet e raportit, përpos dëshirës, zhvillimi ka qenë i ngadaltë dhe presioni nga grupet e interesit siç janë dhomat e tregtisë dhe biznesit, por edhe nga studiuesit, është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Në takim, dy ekspertët e qendrës ACIT prezantuan gjetjet paraprake të studimit. Z. Selami Xhepa tha: ‘Ne jemi dy ekonomi shumë të vogla. Shqipëria dhe Kosova dhe përballë këtyre presioneve konkurruese shumë të mëdha, këto dy vende do të jenë në pozicion shumë më të vështirë në të ardhmen. Për këtë bëhet e domosdoshme hartimi i një platforme të përbashkët zhvillimi, drejt tregut të bashkuar’. Ndërkohë, znj. Mimoza Agolli, u ndal tek ‘potencialet sektoriale për të zgjeruar më tej tregtinë midis dy vendeve’, duke thënë se: ‘edhe pse Shqipëria ka bilanc pozitiv në tregtinë me Kosovën, këto flukse janë shumë të përqëndruara në pak produkte që nuk kontribuojnë konsiderueshëm me vlerë të shtuar. Ndërkohë që nga studimi ynë rezulton që ka sektorë ku potenciali për tregti është jashtëzakonisht i madh dhe i pashfrytëzuar, pavarësisht avantazheve konkurruese’.

Pas prezantimit të gjetjeve, pjesa qendrore e aktivitetit ishin ndërhyrjet nga përfaqësuesit e biznesit dhe shoqatave të tyre. Ata folën për eksperiencat e tyre me eksportin në Kosovë dhe pengesat e hasura. Gjithashtu, disa prej tyre artikuluan edhe një sërë kërkesash dhe rekomandimesh për institucionet shtetërore, duke kërkuar që të përfshihen edhe në studimin e kryer. Tematikat kryesore të prekura, krahas barrierave teknike ekzistuese, kishin të bënin me ndarjen e një mendimi të përbashkët midis tyre, mbi nevojën e madhe për hartimin e një platformë strategjike zhvillimi afatgjatë midis dy vendeve, mundësisht për një periudhë 10 vjeçare. Tryeza u moderua nga përfaqësuesi i Qendrës ACIT, z. Gentian Elezi.

Pas marrjes së mendimeve nga aktorë të ndryshëm në Shqipëri, qendra ACIT do të publikojë studimin e plotë deri në fund të vitit 2019, bashkë me rekomandimet konkrete për politikëbërësit në të dy vendet.

Për më shumë informacion mbi aktivitetin mund të aksesoni ftesën dhe axhendën këtu, prezantimin e ACIT këtu, gjetjet paraprake të studimit këtu, si dhe galerinë e fotove nga aktiviteti këtu. Aktiviteti u pasqyruar nga media ku mund të ndiqni emisionin A2 Business Week nga A2 CNN dhe Përtëfol nga ScanTV.

Për më shumë informacion, mund të kontaktoni në:  info@acit.al