Mbahet tryeza ‘Integrimi ekonomik dhe tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës: Një platformë e përbashkët zhvillimi’

21 Nëntor 2019

Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), me mbështetjen e Fondacionit për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri (OSFA), ka ndërmarrë një studim për të analizuar procesin e integrimit ekonomik dhe tregtar të Shqipërisë dhe Kosovës. Objektivi i këtij projekti është informimi dhe ndërgjegjësimi mbi rëndësinë dhe potencialet e zhvillimit të hapësirës së përbashkët ekonomike midis dy vendeve. Për këtë qëllim, ekspertët e angazhuar kanë realizuar monitorimin dhe analizën e zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe, identifikimin dhe listimin e barrierave të ndryshme, si dhe analizën ekonometrike të potencialeve të pashfrytëzuara midis dy ekonomive.

ACIT organizoi në 21 Nëntor 2019 tryezën ‘Integrimi ekonomik dhe tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës: Një platformë e përbashkët zhvillimi’. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte diskutimi i gjetjeve të një studimi të ndërmarrë nga qendra ACIT me ekspertë, studiues dhe organizata për të prezantuar dhe diskutuar gjetjet paraprake të studimit mbi integrimin ekonomik dhe tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Ky studim ka si qëllim analizën dhe ndërgjegjësimin e politikëbërësve mbi pengesat dhe potencialet e pashfrytëzuara ekonomike midis dy vendeve, për të hapur edhe një diskutim më të gjerë mbi një platformë të përbashkët zhvillimi ekonomik.

Takimi u hap nga Z. Gentian Elezi, drejtues i projektit, i cili u ndal tek prezantimi i projektit rëndësia e integrimit dhe bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve. Projekti ka një qasje vizionare dhe shoqërohet me një plan veprimi konkret dhe pavarësisht vonesave, rëndësia e zbatimit të tij mbetet gjithmonë një prioritet për të dy vendet. Në takim, dy ekspertët e qendrës ACIT, Z. Selami Xhepa dhe Znj. Mimoza Agolli, prezantuan gjetjet e studimit.

Pas prezantimit të gjetjeve, pjesa qendrore e aktivitetit ishin ndërhyrjet nga ekspertë, studiues dhe organizata. Ata folën për eksperiencat e tyre me eksportin në Kosovë dhe pengesat e hasura. Gjithashtu, disa prej tyre artikuluan edhe një sërë rekomandimesh. 

Pas marrjes së mendimeve nga aktorë të ndryshëm në Shqipëri, qendra ACIT do të publikojë studimin e plotë deri në fund të 2019, bashkë me rekomandimet konkrete për politikëbërësit në të dy vendet.

Për më shumë informacion mbi aktivitetin mund të aksesoni ftesën dhe axhendën këtu, si dhe galerinë e fotove nga aktiviteti këtu. Aktiviteti u pasqyruar nga media ku mund të ndiqni lidhjet 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8.

Për më shumë informacion, mund të kontaktoni në:  info@acit.al