Mbahet tryeza: “INTEGRIMI N’SHQIP” në Tiranë

23 Tetor 2019

Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT) dhe Instituti për Politikë Evropiane i Kosovës (EPIK), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, organizuan tryezën “Integrimi evropian i Shqipërisë dhe Kosovës”. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, me pjesëmarrjen e punonjësve të administratës publike, ekspertë, studentë, përfaqësues të shoqërisë civile, etj.

Gjatë eventit, mbajtën fjalën e tyre, z. Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, znj. Admira Jorgji, Drejtore për Bashkimin Evropian pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. z. Demush Shasha, Drejtor Ekzekutiv, Instituti EPIK, z. Radu Magdin, Analist Ndërkombëtar dhe ish-këshilltar i kryeministrit të Rumanisë dhe Moldavisë, si dhe z. Gentian Elezi, nga ACIT.

Në fjalë e tij, z. Dobrushi u fokusua në radhë të parë tek angazhimet dhe reformat që kërkohen. Ai u ndal sidomos tek rëndësia që ka integrimi dhe bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës, në nivel institucional. “Në mënyrë që ky bashkëpunim (midis Shqipërisë dhe Kosovës) të jetë konkret dhe efektiv, ka ende shumë punë për të bërë dhe këto lloj studimesh japin gjetje dhe rekomandime praktike në këtë drejtim. Shqiptarët dhe Kosovarët janë popujt me pro-europian në rajonin tonë, por kjo mesa duket nuk mjafton. Në procset integruese, shoqëria duhet të luaj një rol hiperaktiv, por që kjo të ndodhë duhet që institucionet politik-bërëse të krijojnë sa më shumë hapësira për aktorët e shoqërisë civile”.

Znj. Jorgji shpjegoi dhe u ndal tek angazhimi i qeverisë dhe institucioneve shqiptare në kuadër të procesit të integrimit, duke shpjeguar edhe strukturat e ngritura për negociatat. Ajo theksoi dhe mundësitë e krijuara në kuadër të këtyre strukturave për kontributin e shoqërisë civile, qoftë tek Platforma për Partneritetin e krijuar rishtazi, por edhe tek roli që mund të luajë shoqëria civile si pjesë e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian.

Drejtori Ekzekutiv i Instituti EPIK, Drenush Shasha bëri një prezantim të gjetjeve të raportit të realizuar në bashkëpunim me ACIT. “Nga viti 2017 kemi konstatuar që nuk ka patur një avancim të bashkëpunimit në fusha të tjera, përpos përkthimit të legjislacionit. Edhe pse këto struktura janë ngritur, nuk ka patur takime dhe shkëmbimi ka qenë kryesisht në nivelin individual dhe i varur prej vullentit të individëve të caktuar. Në këtë drejtim, ne kemi rekomanduar zgjerimin e bashkëpunimit në të paktën dy fusha të tjera, duke ngritur edhe dy grupe pune përkatëse: për reformat evropiane dhe për fondet e BE-së. Në këtë studim, ne kemi propozuar gjashtë hapa konkretë që mund të ndërmarrin dy administratat për të thelluar bashkëpunimin deri ne 2020”.

Ndërsa, z. Elezi i ACIT. duke u fokusuar tek zhvillimet e brendshme të Bashkimit Evropian dhe ndikimin që kanë ato në politikën e zgjerimit, u shpreh se: “Pavarësisht se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë influencë tek ndryshimet që ndodhin brenda BE-së, është e nevojshme që të merren disa masa për t’u përshtatur me këtë kontekst të ri evropian, ku vendet anëtare kanë marrë më shumë rol se më parë në procesin e integrimit, duke dobësuar Komisionin Evropian. Për këtë ne kemi propozuar në studim një sërë rekomandimesh praktike që mund të ndihmojnë në një përgatitje më të mirë përballë kësaj Evrope, duke i dhënë edhe më shumë parashikueshmëri procesit”.

Gjatë tryezës, mbajti fjalën e tij edhe z. Radu Magdin, si i ftuar nderi. Ai foli për eksperiencën e Rumanisë me procesin e integrimit dhe vështirësitë që shfaq tani anëtarësimi në BE. Ai ndau me audiencën këshillat dhe rekomandimet e tij për t’u ballafaquar me sukses me realitetin e ri evropian. “Nuk mund të ndikoni dot në humorin e brendshëm të vendeve të BE-së. Ajo ku mund të ndikoni është humori juaj. Prandaj duhet të kujdeseni në forcimin e aleancave dypalëshe, të kujdeseni dhe investoheni në imazhin e vendit, si dhe të zhvilloni e fuqizoni vendin nga brenda. Anëtarësimi vjen vetë më pas”.

Studimi i plotë “The Greater Europe: Analysis of the European integration process of Albania and Kosovo: cooperation in the way forward” në versionin anglisht mund të shkarkohet duke klikuar këtu dhe në versionin shqip mund të shkarkohet duke klikuar këtu . Për më shumë informacion mund të gjeni axhendën e aktivitetit.