Prezantohen kërkimet e alumnëve të Akademisë të Studimeve Politike mbi politikat në nivel vendor

17 Janar 2017

Tiranë, 17 janar 2017 – Akademia e Studimeve Politike (ASP) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), Këshillin e Evropës dhe Agjensinë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim organizoi konferencën 17 Janar 2017 me temë ‘Kërkimi dhe advokimi sigurojnë politika më të mira evropiane në Shqipëri’.

Pesë punime kërkimore me fokus monitorimin e politikave në nivel vendor u prezantuan në konferencë, e cila mblodhi së bashku vendimmarrës, politikëbërës dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm. Diskutimi i gjetjeve të këtyre punimeve me aktorët kryesorë synoi replikimin e shembujve pozitivë në njësi të tjera vendore si dhe përmirësimin e praktikave të hasura përgjatë vitit të parë të zbatimit të reformës administrativo-territoriale. Këto punime kërkimore u përgatitën me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) nga alumnë (ish-pjesëmarrës) të Akademisë së Studimeve Politike, të cilët veprojnë si promotorë të ndryshimit dhe të zbatimit të reformave të rëndësishme integruese në vend.

Punimet u vlerësuan nga aktorët e ndryshëm të ftuar në këtë event si një angazhim i duhur i profesionistëve dhe qytetarëve aktivë për të përmirësuar problematikat që shfaqen dhe ndikojnë në mirëqeverisjen vendore.

Më konkretisht punimet kërkimore u fokusuan:

  1. Monitorimi i standardeve të aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara në ndërhyrjet infrastrukturore të vitit 2015-2016 të Bashkisë Tiranë; (for English version click here)
  2. Evidentimin e shembullit pozitiv të bashkisë Korçë për punësimin e personave  “të dënuar në shërbim prove” dhe “ish të dënuar;
  3. Monitorimin e situatës së transferimit dhe menaxhimit të pronës shtetërore në Bashkinë Tiranë pas reformës administrative-territoriale;
  4. Vlerësimin e mënyrave për të përfshirë komunitetet rurale bregdetare në administrimin e plazheve të Rivierës Shqiptare;
  5. Monitorimin e procedurave të prokurimit publik në bashkinë Kamëz dhe sfidat në luftën kundër korrupsionit në nivel vendor;

Projekti synon zhvillimin e mëtejshëm të angazhimit qytetar dhe profesional të antarëve të rrjetit të alumnëve (ish-pjesëmarrësve) – rreth 250 pjesëmarrës të nëntë gjeneratave – përfaqësues të partive politike, shërbimit publik, shoqërisë civile, botës akademike dhe medias, të cilët veprojnë si promotorë të ndryshimit dhe të zbatimit të reformave të rëndësishme integruese në vend. 

Pas një procesi të hapur aplikimi në muajin Maj 2016, u përzgjodhën pesë propozimet më të mira të alumnëve, të cilët përfituan trajnimet përkatëse mbi teknikat e kërkimit dhe advokimit si dhe u mbështeten financiarisht në aktivitetet e tyre kërkimore dhe advokuese. 

Akademia e Studimeve Politike (ASP) është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 2009, nën kujdesin e Këshillit të Evropës, me synim nxitjen e një brezi të udhëheqësve të rinj politikë dhe shoqërisë civile. ASP është struktura përgjegjëse për organizimin në Shqipëri të programit Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike me kontributin financiar të Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Për të konsultuar axhendën e konferencës ju ftojmë të klikoni në link.