Prezantohet monitorimi i zbatimit të ligjit të Efiçencës së Energjisë përgjatë vitit 2016

19 Dhjetor 2016

Një punim monitorues mbi zbatimin e ligjit të Efiçencës së Energjisë u prezantua sot në një tryezë të rrumbullakët me qëllim nxitjen e një diskutimi konstruktiv mes aktorëve të ndryshëm në këtë sektor. Një vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji ka ende shumë punë për të bërë në respekt të detyrimeve të përcaktuara prej tij si dhe zotimeve të marra përsipër nga institucionet shqiptare. Punimi kërkimor u përgatit me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA). Akademia e Studimeve Politike ofroi ekspertizën e saj profesionale dhe eksperiencën e nevojshme për të siguruar përfshirjen e të gjithë aktorëve të rëndësishëm në këtë aktivitet.

Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, z. Erjon Tase nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve të ndryshme dhe angazhimit të shoqërisë civile në krijimin e një terreni të përshtatshëm për zbatimin e reformave ambicioze, por të nevojshme për zhvillimin ekonomik dhe integrimit evropian të vendit. 

Ndërkohë, z. Gjergj Simaku, drejtor i Drejtorisë për Burimet Energjetike të Rinovueshme dhe Efiçencës së Energjisë, pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, vlerësoi organizimin e këtij punimi dhe eventi. Z. Simaku njohu të pranishmit gjithashtu me risitë që sjell krijimi i Agjensisë së Efiçencës së Energjisë, e miratuar vetëm pak ditë më parë nga Këshilli i Ministriave si dhe arsyet e vonesës të nisjes nga puna të institucionit të Fondit Kombëtar të Efiçencës së Energjisë. 

Të pranishëm në tryezë ishin përfaqësues të institucioneve të tjera të linjës, organizatave të shoqërisë civile, donatorëve të huaj si dhe medias. Diskutimi i pjesëmarrësve u fokusua në këto pika kryesore të rekomandimeve të punimit: 

  • Burimet njerëzore si pengesë për arritjen e afateve të përcaktuara nga ligji;
  • Vendimmarrja e nevojshme për të çuar përpara agjendën e Efiçencës së Energjisë; 
  • Mbështetja e munguar financiare për arritjen e objektivave të përcaktuara;
  • Angazhimi i donatorëve, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile për të kapërcyer pengesat aktuale.

 

Gjatë pesë viteve të fundit, Akademia e Studimeve Politike ka zhvilluar një sërë aktivitetesh advokuese me anëtarët e parlamentit si dhe njësi të qeverisjes vendore dhe aktorë të tjerë për të çuar përpara agjendën e efiçencës së energjisë dhe krijuar terrenin e përshtatshëm për zbatimin e zotimeve të ndërmarra nga vendi ynë në kuadër të integrimit evropian.

Për të aksesuar axhenden klikoni këtu, ndërsa për të aksesuar dokumentin e shkurtër të politikës mbi Efiçencën e Energjisë klikoni këtu