Projekti ‘Mbështetja e Shkollës Verore mbi Integrimin Europian 2016’

26 Shtator 2016 deri 30 Nëntor 2016

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Rrjetin e Informimit të Bashkimit Europian organizuan në datat 26-30 Shtator 2016 raundin e parë të Shkollës Verore Evropiane, e cila zhvillua në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit në Tiranë.

Ky raund i parë synonte të ndihmonte në identifikimin e aktorëve të mundshëm të Ekipit Negociator për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe të krijojë një grup ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e vendim-marrjes dhe anëtarësimit në BE, përmirësimin e koordinimit ndër-institucional në nivel kombëtar, si dhe krijimin e rrjeteve efektive të bashkëpunimit. 

Krahas ofrimit të një kuadri të plotë teorik, shkolla verore gjithashtu ndihmoi pjesëmarrësit në përmirësimin e aftësive të tyre negociuese me anë të metodave praktike për negociata efektive. Leksionet të kombinuara me element praktikë të procesit u mbajtën nga profesorë nga Kolegji i Europës (Bruges), nga ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për Integrimin Europian dhe procesin e zgjerimit si dhe nga të ftuar të shumtë nga Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria, biznesi, media dhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Europian.

Programi i Shkollës Verore përfshinte katër module kryesore:

  • Situata aktuale dhe kuadri institucional i Integrimit Europian në Shqipëri;
  • Negociatat: Strategjitë dhe negociimi;
  • Hapat dhe fazat drejt negociatave;
  • Komunikimi në publik i procesit të Integrimit Europian.

 

Shkolla Verore ishte e hapur për:

  • Nëpunës të administratës publike shqiptare (duke përfshirë edhe institucionet e pavarura) që punojnë në fushën e Integrimit Europian të cilët të synojë të angazhohen në procesin e negociatave;
  • Studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jo-qeveritare, të cilët dëshirojnë të përmirësojnë aftësitë e tyre në fushën e Integrimit Europian dhe synojnë të jenë të përfshirë në procesin e negociatave;
  • Gazetarë që mbulojnë çështjet e Integrimit Europian.

 

Në përgjigje të thirrjes së hapur për aplikim, e cila u publikua në faqet e internetit të të gjithë partnerëve, aplikuan 221 persona, prej të cilëve 69 ishin përfaqësues nga shoqëria civile dhe bota akademike, 92 përfaqësues nga administrata publike dhe 7 përfaqësues nga media. Përzgjedhja e 37 fituesve, u bë në vijim të një procesi transparent duke pasur në konsideratë balancimin e përfaqësimit sipas kategorive të pjesëmarrsve, por duke i dhënë një hapësirë më të madhe përfaqësuesve të administratës publike, të cilët janë drejtëpërdrejtë të përfshirë në procesin e Integrimit Europian.

Me marrjen e rekomandimit pozitiv nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, sikundër parashikohet, Shqipëria hyn në një fazë të avancuar të marrëdhënieve me BE, e cila duhe të shoqërohet me intensifikimin e reformave, forcimin e kapaciteteve dhe gjithëpërfshirjen e aktorëve kryesorë. Në këtë kuadër, është e nevojshme ri-organizimi i këtij kursi duke përfshirë më shumë tema trajnimi, dhe duke zgjeruar kategoritë e pjesëmarrësve me qëllim përfshirjen e të gjithë aktorëve në realizimin e reformave dhe detyrimeve të anëtarësimit si dhe për të siguruar kanalizimin e të gjithë ekspertizës së tyre në proces, në sinergji të plotë me institucionet që koordinojnë e manaxhojnë procesin e integrimit. 

Për më shumë informacion mund të kontaktoni Kuvendin, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian në adresën e emailit: Info.Kkie@parlament.al

Për të aksesuar thirrjen për pjesmarrës klikoni këtu, ndërkohë për të aksesuar listën përfundimtare të pjesmarrësve klikoni këtu
Për të parë axhendën klikoni këtu.