Qytetarët për drejtësinë: Mos u largoni, por ndikoni që vendi ynë të bëhet më i mirë e më i drejtë!

25 Mars 2019

Forumi i Mendimit të Lirë organizoi një takim me të rinj në Berat në kuadër të projektit “Qytetarët për Drejtësinë”. Projekti ka për qëllim informimin e qytetarëve dhe nxitjen e tyre për tu bërë protagonistë në vazhdimin e procesit të reformimit të drejtësisë. Ky projekt realizohet me mbështetjen e Fondacionit Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë.

Shumica e të rinjve që morën pjesë në takimin informues për reformën në drejtësi në bibliotekën e qytetit të Beratit, kur u pyetën nëse kanë në plan të largohen nga Shqipëria kur të mbarojnë shkollën, ngritën dorën për të thënë “po”.

Ata thanë se nuk shikojnë përspektivë në vendin e tyre dhe nuk kanë shpresë.

Mungesa e drejtësisë ka qenë një nga kontribuesit e mëdhenj në vrasjen e shpresës së të rinjve. Drejtuesi i organizatës Forumi i Mendimit të Lirë, Mentor Kikia, tha se është pikërisht një sistem drejtësie i mangut, i paaftë apo i korruptuar, që ka kontribuar në një luftë jo efikase ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit. Ajo që ka dalë në sipërfaqe deri tani, nga procesi i vetingut, sipas Kikisë, është dëshmi se sa e nevojshme ka qenë ndërmarja e reformës në drejtësi. Mosjustifikimi i pasurisë dhe arsyet shpesh qesharake të gjykatësve dhe prokurorëve, dëshmuan kalbëzimin që kishte prekur sistemin, edhe përtej çdo imagjinate tonën. Por, ajo që duhet të bëjmë të gjithë – tha Kikia – është të ushtrojmë presion ndaj çdo aktori apo faktori politik apo jo politik, që ndikon në bllokimin e reformës, apo vështirëson përparimin e saj.

Profesori dhe Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, u tha pjesëmarrësve në takim, se ajo që nevojitet është këmbëgulja jonë për ta vazhduar këtë reformë, por edhe durimi, pasi reforma nuk është një proces që kryehet apo përmbyllet në disa muaj. Do të duhet kohë, që sistemi të pastrohet, të ndërtohen institucionet dhe strukturat e reja e më pas ti vëmë ato në funksion.

Profesor Hoxha u bëri thirrje të rinjve që të punojnë fort për tu arsimuar mirë, për të jetuar e punuar në vendin e tyre.