Re-Debate 4.1 – Liburnetik mbyll me sukses projektin ‘Rigjallërimi i Kulturës së Debatit”

06 Maj 2019

Pas një rrugëtimi të gjatë në 15 qytete dhe në 31 shkolla të Shqipërisë, Organizata LIBURNETIK ka mbyllur me sukses projektin Re-Debate 4.1 – ‘Rigjallërimi i Kulturës së Debatit” në datat 5 dhe 6 Maj në Tiranë.

Me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe në partneritet me Kongresin Rinor Kombëtar dhe Ministrinë e  Arsimit, Sportit dhe Rinisë edhe ky edicion shpalosi potencialin e të rinjve dhe aftësinë e shprehive të tyre për të debatuar duke përdorur të menduarit kritik.

Qëllimi kryesor i kësaj iniciative tregoi se të rinjtë e sotëm dinë të debatojnë në mënyrë konstruktive duke përcjellë argumenta dhe duke nxjerrë në pahë vlerat e një shoqërie të hapur e demokratike që të nesërmen do të jetë pjesë e drejtimit të vendit.

Kampionati Kombëtar i Debatit Re-Debate 4.1 u zhvillua këtë vit në amjentet e Tirana International Hotel përgjatë dy ditëve 5 dhe 6 Maj 2019 ku ishin pjesë 16 skuadrat finaliste që arritën të kualifikohen për këtë fazë.

Në finalen e madhe morën pjesë rreth 128 nxënës dhe 16 mësues që përfaqësuan shkollat e mesme “Rrëshen” nga Rrësheni, “28 Nëntori” nga Burreli, “Jordan Misja” nga Shkodra, “Havzi Nela” nga Kukësi, “Qemal Stafa”, “Protagonistët”, “Ernest Koliqi”, “Harry T. Fultz ”nga Tirana, “Ibrahim Rugova” nga Kamza, “Hydajet Lezha” nga Lezha, “Skënderbeu” nga Kruja, “Shote Galica” nga Fushë-Kruja, “Dhaskal Todri” nga Elbasani, “Janaq Kilica” nga Fieri, “Naim Frashëri” nga Durrësi dhe “Themistokli Gërmenji” nga Korça.

Në datën 5 Maj u zhvillua faza eliminiatoreve që përcaktoi  8 gjimnazet garuese për fazën e Çerek Finales nga ku u kualifikuan shkollat “Dhaskal Todri” nga Elbasani, “Shote Galica” nga Fushë-Kruja, “Rrëshen” nga Rrësheni, “Janaq Kilica” nga Fieri.

Në përballjen e debatit të parë gjysmëfinalist, midis gjimnazit  “Shote Galica”, Fushë Krujë dhe “Dhaskal Todri”, Elbasan  ky i fundit u shpall finalisti i parë me me 291 pikë.  Ndërsa debati i dytë mes gjimnazit “Rrëshen” dhe gjimnazit “Janaq Kilica”, Fier me 279 pikë përcaktoi debatin e Finales së Madhe.

Sipas formulës së debatit, Finalja e Vogël për vendin e tretë u mbajt midis shkollave që grumbulluan më pak pikë nga përballjet gjysmëfinale. Ndërkohë, gjimnazet me më shumë pikë do të garonin për të zënë vendin e dytë dhe të parë sipas klasifikimit të pikëve të dhëna nga gjykatësit.

Vendi i tretë u fitua nga shkolla “Rrëshen” me 284 pikë ndaj gjimnazit “Shote Galica”, Fushë Krujë me 268 pikë. Finalja e Madhe u zhvillua mes shkollave “Dhaskal Todri”, Elbasan dhe “Janaq Kilica”, Fier. Pas një debati tepër të fortë i cili solli gjithashtu dhe emocione tek të gjithë pjesëmarrësit, në këtë edicion të dytë të Kampionatit Kombëtar të Debatit, vendi i parë u fitua nga gjimnazi “Dhaskal Todri”, Elbasan me 291 pikë.

Shkolla “Janaq Kilica” u klasifikua në vendin e dytë me 271 pikë. Duke mos dalë nga lista e tre vendeve të para për të dytin vit rradhazi, pas vendit të parë në edicionin e kaluar.

Në fund të aktivitetit nga përfaqësues të fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, Ministria e Arsimit dhe Sportit si dhe Organizatës Liburnetik u shpërndanë kupat dhe certifikatat për nxënësit pjesëmarrës gjithashtu dhe disa dhurata simbolike për përkushtimin e tyre.

Re-Debate 4.1 përballi gjithsej 37 Skuadra në nivel lokal dhe më pas kombëtar solli 61 debate të ndarë në 2 tipe mes 370 nxënësve gjimnazistë nga shkollat e mesme nga qyteti i Tiranës, Kamzës, Durrësit, Elbasanit, Shkodrës, Fierit, Korçës, Kukësit, Lezhës, Burrelit, Beratit etj.