Tryezë konsultimi: Ecuria e procesit të vetting-ut dhe funksionimi i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë

31 Janar 2020

Komiteti Shqiptar i Helsinkit me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë zhvilloi një tryezë konsultimi me drejtuesit kryesor të institucioneve të reja të drejtësisë për të diskutuar ecurinë e procesit të vettingut dhe funksionimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, si dy nga shtyllat kryesore ku është fokusuar reforma gjatë vitit 2019.

Kjo tryezë tërhoqi vëmendjen dhe interesimin e drejtuesve kryesorë të sistemit të drejtësisë, të tillë si drejtuesve dhe anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerëve Publikë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Nënkryetares së Kuvendit, Avokates së Popullit, vëzhguesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Ambasadorit të Ambasadës Gjermane në vendin tonë, e të tjerë personaliteteve në këtë fushë.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi i gjetjeve kryesore të monitorimit dhe studimeve të kryera nga KShH, me qëllim për të marrë mendime konstruktive dhe profesionale nga aktorë të sistemit të drejtësisë dhe përfaqësuesve të organizatave vendase dhe ndërkombëtare përsa i takon:

a) Vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për periudhën Janar – Prill 2019

b) Veprimtarisë së KLGJ-së, KLP-së dhe KED-së për periudhën Janar – Korrik 2019;

Znj. Skëndaj theksoi gjatë kësaj tryeze se “Me frymën e një kritike dhe oponence profesionale, të paanshme dhe konstruktive, Komiteti Shqiptar i Helsinkit synon që ky proces të përmbushë standartet më të mira në funksion të qëllimit madhor që ka, duke garantuar respektimin e të drejtës për proces të rregullt të subjekteve si dhe për të rikthyer besimin e shtetasve në organet e drejtësisë”.

Z. Dobrushi, Drejtor ekzekutiv i Fondacionit evidentoi se “Reforma në drejtësi ka një qëllim madhor, krahas transformimit të arkitekturës së sistemit të drejtësisë dhe pastrimit të tij, të garantojë akses të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e vendit si dhe të ofrojë një shërbim të shpejtë, efiçient dhe profesional. Reforma është zhvillimi më i rëndësishëm ligjor dhe institucional, por për shkak të kompleksitetit dhe magnitudës së lartë transformuese të saj, besojmë se ka ardhur koha të vlerësohet, analizohet dhe të përmirësohet në mënyrë që të sigurojë jetëgjatësinë e saj“.

Dr. Rainer Deville, ekspert ndërkombëtar, vuri theksin tek zhvillimet pozitive që ka patur reforma në drejtësi, duke parë zhvillimet e 5 vjeçarit të fundit. Janë jetësuar dhe bërë funksionale një sërë institucionesh të reja dhe shumë prej ‘milionerëve’ të drejtësisë janë shkarkuar nga sistemi.

Znj. Mulaj, Kryetare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në fjalën e saj u shpreh se mekanizmi i vettingut nxorri probleme të mëdha të aspektit të pasurisë, figurës dhe anës profesionale. Përfaqësues të lartë të sistemit të drejtësisë të shkarkuar vërtetuan se mungesa e besimit të qytetarëve te drejtësia është e justifikuar.

Znj. Bungo, Kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit evidentoi faktin që KShH-së i janë përcjellë në formë shkresore komentet dhe sugjerimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit lidhur me këtë draft raport, ndërkohë që e vlerësoi jurisprudencën e këtij organi si të konsoliduar.

Komisioneri Publik z. Ballhysa theksoi se ankimet e realizuara nga IKP kanë arrritur krijimin e jurisprudencës të mirëfilltë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për çështje të rëndësishme në interpretimin e legjislacionit për rivlerësimin kalimtar. Komisioneri Publik, z. Sina evidentoi IKP ka depozituar 29 ankime në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe në procesin e vettingut kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm vëzhguesit ndërkombëtar të monitorimit.

Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi z. Dvorani parashtroi problematikën e bërjes funksionale të Gjykatës së Lartë dhe numrit të lartë të çështjeve të cilat janë në pritje për t’u gjykuar.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Metani, evidentoi ngarkesën me të cilën pritej të përballet institucioni që ai përfaqëson ndërkohë që po punohet në drejtim të plotësimit të institucionit me infrastrukturën dhe personelin e nevojshëm. Prioritarizimi i ankesave të depozituara (që janë në pritje për t’u hetuar) ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve do të jetë në fokusin e veprimtarisë së tij.

Pavarësisht nga sfidat që pritet të adresohen më mirë nga institucionet e monitoruara, në tërësi, KShH vlerëson pozitivisht disa nga zhvillimet e reformës, të cilat kanë sjellë pastrimin e sistemit gjyqësor, kanë kontribuar në ngritjen e institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe po ndikojnë në adresimin e objektivave të rëndësishëm të reformës, për t’i ofruar qytetarëve një drejtësi profesionale, të paanshme dhe llogaridhënëse. Rëndësi në këtë proces ka edhe promovimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve me integritet moral dhe profesional që janë aktualisht në sistem, me një qasje të pavarur dhe meritokratike.