Vendime te Komisionerit per Mbrojtjen nga Diskriminimi

14 Janar 2014

Të nderuar kolegë dhe partnerë/Dear colleagues and partners,

Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (FSHDPAK), me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros), në një projekt të mundësuar për një periudhë tetëmujore, dhe në vazhdimësi me mbështetjen shumëvjeçare të Civil Rights Defenders, arriti që të adresonte me sukses tre raste të diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuar në të drejtën për të votuar, në zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi FSHDPAK është angazhuar gjerësisht gjatë këtyre viteve në monitorimin e realizimit të së drejtës për të votuar të personave me aftësi të kufizuar, duke e konsideruar këtë të drejtë, si një të drejtë themelore, parakusht për realizimin e të drejtave të tjera.

Gjatë zgjedhjeve të fundit, FSHDPAK ka konstatuar, që edhe pse janë marrë disa masa, me qëllim mundësimin e votimit të personave me aftësi të kufizuara, në kushte të barabarta me të tjerët dhe në mënyrë dinjitoze, sërish institucionet lokale dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë dështuar në arritjen e objektivave që ata vetë kanë vendosur.

Komuniteti i personave me aftësi të kufizuara po ndërgjegjësohet gjithnjë e më shumë mbi përdorimin e ‘mekanizmit të votës', si mjet për të arritur influencën si grupim në institucionet shtetërore. Këto tre raste pasqyrojnë më së miri këtë rritje të ndërgjegjësimit. Megjithatë, duhet theksuar, që FSHDPAK ka pasur sinjalizime mbi shkelje të rënda të së drejtës për të votuar të personave me aftësi të kufizuar, raste të cilat nuk kanë dashur të bëhen publike nga viktimat e shkeljeve.

FSHDPAK, ka për qëllim, që përmes rasteve të ndjekura, të sjellë në vëmendjen e institucioneve dhe të komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, vakumet ligjore dhe sidomos nivelin e ulët të zbatimin e Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore. Gjithashtu, përmes identifikimit të barierrave dhe problematikës, synojmë të ndikojmë në përmirësimin e legjislacionit dhe praktikës zgjedhore.

Jemi të kënaqur, që kemi arritur të kthejmë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse në të drejtën për të votuar të personave me aftësi të kufizuar, të ndikojmë në ndërgjegjësimin e tyre, duke i vendosur para përgjegjësive.

Tashmë institucioneve, të cilat kanë diskriminuar personat me aftësi të kufizuar, i janë dhënë rekomandimet nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, institucion i cili do të monitorojë edhe zbatimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme.

FSHDPAK, duke qënë i ndërgjegjshëm mbi numrin e shkeljeve të padeklaruara, nevojën për ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve kryesorë, angazhimin e shoqërisë civile e fuqizimin e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, do të vazhdojë punën në drejtim të mbrojtjes së të drejtës për të votuar të personave me aftësi të kufizuara dhe të adresojë rastet e shkeljeve.

FSHDPAK i rikujton autoriteve shtetërore, Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, detyrat dhe përgjegjësitë për marrjen e masave konkrete dhe rishikimin e kuadrit ligjor mbi të drejtën për të votuar të personave me aftësi të kufizuar.

Per te shkarkuar vendimet e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ju lutemi klikoni me poshte:

Vendimi Nr 100
Vendimi Nr 101