Vizitë në Bukuresht për rritjen e bashkëpunimit midis shoqërisë civile në dy vendet

17 Maj 2020

Në prag të publikimit të raportit të Komisionit Evropian dhe vendimit të mëpasshëm të Këshillit mbi mundësinë e hapjes së negociatave me Shqipërinë, përfaqësues të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe shoqërisë civile organizuan një vizitë në Bukuresht në datat 15-17 Maj 2019. Zgjedhja e Rumanisë lidhet me faktin se Shqipëria mund të mësojë shumë nga rrugëtimi i këtij vendi, i cili është përballur me sfida të ngjashme. Gjithashtu, Rumania mban aktualisht presidencën e Këshillit të BE-së dhe ky element e bën edhe më të rëndësishëm. Vizita kishte për objektiv edhe njohjen me praktikat me të mira si dhe krijimin e urave të mundshme të bashkëpunimit në fushat përkatëse.

Vizita parashikoi takime me organizata të shoqërisë civile duke përfshirë: Institutin Evropian të Rumanisë: znj. Laura Mihailesku (shefe e njësisë), znj. Eliza Vas (ekspert, seksioni i studiemve dhe analizave) dhe z. Mihai Sebe (ekspert i studimeve dhe trajnimeve në njësinë e çështjeve evropiane); Qendra Rajonale e Rumanisë: znj. Carmen Stanila; Shoqëria Akademike Rumune: z. Andrei Macsut; Qendra Rumune për Politikat Evropiane: znj. Bianca Toma, drejtore programi dhe z.Alexandru Damian, studiues. Takimet prekën tematika që lidhen me procesin e integrimit por edhe sfidat e ecurisë së Rumanisë gjatë procesit të aderimit dhe më pas si vend anëtar dhe rolin e shoqërisë civile.

Një takim i veçantë u organizua tek Universiteti i Studimeve Politike dhe Administratës Publike në bashkëpunim me Rektorin e Universitetit, z. Remus Pricopie dhe znj Miruna Troncota, lektore pranë universitetit. Studentë e masterit në shkenca politike morrën pjesë në një leksion të hapur të mbajtur nga përfaqësuesit nga Shqipëria. Fokusi i leksionit ishte procesi i integrimit të Shqipërisë në BE si dhe sfidat përpara ku studentët ishin të interesuar dhe drejtuan pyetje të ndryshme.