Aplikim për pjesëmarrje në trajnimin "Aktivizmi në arsim"

Tematika: 

Të veprojmë për të ndryshuar situatën në shkollën tonë

Arsimi parauniversitar përballet me probleme të shumllojshme, të cilat shpeshherë mbeten pa zgjidhje si pasojë e mungesës së vullnetit të institucioneve përgjegjëse. Infrastruktura e papërshtatshme, mbipopullimi i klasave dhe mësimi me turne, mënyra e marrjes në punë të mësuesve dhe përzgjedhja e stafit drejtues të shkollës, siguria e vendit të punës për mësuesin, vendimarrja e mbyllur, cilësia e arsimit dhe jeta e varfër brenda shkolles, janë vetëm disa prej problemeve që shoqërojnë arsimin në vendin tonë. Ne gjykojmë se grupet që preken drejtpërdrejtë nga këto probleme duhet të angazhohen në mënyrë aktive në përmirësimin e situatës. Situata nuk mund të përmirësohet nëse mësuesit, nxenësit, prindërit dhe qytetaret e ndjeshëm nuk veprojnë konkretisht për ti dhënë zë problemit dhe për të shtyrë institucionet përgjegjëse që të ofrojnë zgjidhje. Shtysa e domosdoshme për zgjidhjen e qëndrueshme të problemeve të arsimit mund të vijë vetëm nga brenda komunitetit shkollor.

Në këtë kuadër Fondacioni Soros ju fton që të aplikoni për tu bërë pjesë e një nisme që ka për synim fuqizimin e rolit të prindërve, nxënësve dhe mësuesve përmes angazhimit veprues në përmirësimin e gjendjes së arsimit. Nisma do të shtrihet në qytetin e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Korcës dhe Kukësit. Gjatë muajit Maj 2015 në qytetet e përmendura do të zhvillohen takime dhe trajnime të cilat do të shërbejnë njëherazi për të aftësuar pjesmarrësit dhe për të ngritur grupet e personave të motivuar të cilët do të kontribojnë në zgjidhjen e një problemi konkret që prek shkollën e tij/saj/tyre.

Për të aplikuar ju lutem Klikoni Këtu.

Prindërit, nxënës dhe mësues që jetojnë në këto qytete dhe dëshirojnë të aplikojnë janë të lutur të plotësojnë formularin deri në dt 7 Maj 2015.

Nëse keni pyetje apo nevojë për informacion të mëtejshëm na shkruani në adresën e e-mailit: aktivizmi@gmail.com.