Deklaratë për Median: Organizimi i prezantimit të Raportit të Hulumtimit ‘Shqipëri – Kosovë, Dekonstruktimi i idesë së bashkimit – Perceptimet e qytetarëve për bashkëpunimin mes dy vendeve’

 

Deklaratë për Median

 

Organizimi i prezantimit të Raportit të Hulumtimit ‘Shqipëri – Kosovë, Dekonstruktimi i idesë së bashkimit – Perceptimet e qytetarëve për bashkëpunimin mes dy vendeve’

 

Më 26 Nëntor 2019, Fondacioni Shoqëria e Hapur për  Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) do të prezantojnë gjetjet e Raportit të Hulumtimit ‘Shqipëri – Kosovë, Dekonstruktimi i idesë së bashkimit – Perceptimet e qytetarëve për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në kohën kur perceptimet zëvendësojnë realitetin dhe qëndrimet ndaj çështjeve madhore siç është edhe bashkimi kombëtar, apo marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë mbuluar nga tisi i gabueshëm i stereotipeve, të dy Fondacionet do të sjellin për opinionin publik një matje shkencore të kryer përmes një hulumtimi të shtrirë në të dyja vendet.

Hulumtimi i jep përgjigje disa prej çështjeve me interes në Kosovë dhe Shqipëri si p.sh.: distanca sociale, imazhi për fqinjët, integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal, perceptimi dhe stereotipet ndaj njëri-tjetrit, qëndrimi ndaj bashkëpunimit zyrtar të të dyja vendeve dhe qëndrimi ndaj bashkimit eventual kombëtar.

Anketimi nuk është qëllimi përfundimtar i kësaj nisme të përbashkët të OSFA dhe KFOS, por është hapi i parë në serinë e disa aktiviteteve të cilat synojnë të analizojnë dhe nxisin debatin për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, si projekt i rëndësishëm në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Aktiviteti i parashikuar për tu organizuar në datën 12 nëntor 2019 nuk u bë e mundur të realizohej për shkak të pengesave logjistike me pjesëmarrësit e panelit prezantues. Nisur nga rëndësia dhe vlera që kanë për debatin publik në të dy vendet, rezultatet e hulumtimit dhe studimi do të ndahen me publikun nga Shqipëria dhe Kosova më 26 Nëntor, në Tiranë.

Gjetjet e të dhënat e mbledhura kanë shërbyer si bazë dhe për kryerjen e studimeve më të thelluara në fushat si arsimi, marrëdhëniet diplomatike e bashkëpunimi strategjik, bashkëpunimi ekonomik me qëllim zbatimin e politikave të përbashkëta dhe nxitjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në këto fusha.