Fillon zbatimi i projektit studimor: “Greqia dhe Shqipëria: Rishikimi i një marrëdhënie të tensionuar”

Me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) po zbatohet në Shqipëri projekti studimor ‘Greqia dhe Shqipëria: Rishikimi i një marrëdhënie të tensionuar’, i zbatuar nga instituti i pavarur studimor ‘DATA CENTRUM’,

Ky projekt zbatohet në bashkëpunim me partnerin grek, Fondacioni Grek për Politikën Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP), të cilët kanë mbështetur nga ana e tyre zbatimin e një projekti studimor të ngjashëm në Greqi. Projekti në Greqi synon identifikimin e qëndrimeve dhe bindjeve të opinionit publik grek ndaj Shqipërisë dhe shteteve të tjera fqinje, si dhe qëndrimeve të tjera mbi çështje që lidhen me marrëdhëniet Greko-Shqiptare, mosmarrëveshjet dypalëshe dhe orientimin strategjik gjeopolitik të të dy vendeve.

Për ti dhënë përgjigjie këtyre çështjeve dhe të tjera të lidhura me to po zbatohet proekti “Greqia dhe Shqipëria: Rishikimi i një marrëdhënie të tensionuar”, për të cilin në të dy shtetet do zbatohet një metodologji sasiore dhe instrument matës i ngjashëm e cila përpos të tjerave do të mundësojë edhe krahasimin e rezultateve midis dy sondazheve.

Projekti studimor në Shqipëri zbatohet në të 12 qarqet e vendit, në qytete e fshatra, ku mbledhja e të dhënave do të zhvillohet gjatë muajit Shkurt 2020 duke intervistuar një kampion përfaqësues të popullatës prej 1,200 qytetarësh 18 vjeç e sipër. Për këtë qëllim, Data Centrum ka përzgjedhur dhe trajnuar grupin e punës, të cilët do të zbatojnë të gjitha procedurat standarde dhe politikat e sigurimit të cilësisë sikurse përcaktuar në Kodin Ndërkombëtar për Studimet e Tregut, Sondazhet e Opinionit Publik, Kërkimin Social dhe Analizën e të Dhënave të Hartuar nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (ICC) dhe Shoqëria Evropiane për Sondazhet e Opinionit Publik dhe Studime Marketingu (ESOMAR).

Për më shumë informacion mbi projektin mund të kontaktoni info@datacentrum.al