Finalizohet faza e dytë e mbështetjes së kërkimeve mbi politikat në nivel vendor

Akademia e Studimeve Politike (ASP) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), mbyllën fazën e dytë të mbështetjes për punime kërkimore dhe advokuese me synim përmirësimin e politikave në nivel vendor. Programi “Kërkimi dhe advokimi sigurojnë politika më të mira evropiane në Shqipëri”, synon zhvillimin e mëtejshëm të angazhimit qytetar dhe profesional të antarëve të rrjetit të alumnëve (ish-pjesëmarrësve) të “Shkolla Shqiptare të Studimeve Politike”, përfaqësues të partive politike, shërbimit publik, shoqërisë civile, botës akademike dhe medias.

Alumnët e përzgjedhur u mbështetën për të ndjekur në terren ecurinë dhe problematikën e hasur në zbatimin e reformës administrativo-territoriale. Duke përballur eksperiencën e tyre profesionale dhe vendosur atë në kontekstin e zhvillimeve të përditshme të njësive të reja vendore, këto hulumtime synojnë të evidentojnë shembujt pozitivë në njësi të caktuara me qëllim replikimin në njësi të tjera, si dhe të ofrojnë rekomandime konkrete për përmirësimin e praktikave aktuale.

Pas një procesi të hapur aplikimi në maj 2017 u përzgjodhën pesë propozimet më të mira të alumnëve, të cilët përfituan trajnim mbi teknikat e kërkimit dhe advokimit si dhe u mbështetën financiarisht në këto aktivitete. Kërkuesit e përfshirë në këtë program zhvilluan më 4 korrik 2017 trajnimin e parë mbi shkrimin kërkimor si dhe një trajnim të dytë mbi teknikat e advokimit më 6 shtator 2017, me mentoren e punimeve znj. Gentiola Madhi.

Një nga punimet e finalizuara, ai i titulluar “Sfida dhe mundësi për riintegrimin e fëmijëve të kthyer nga emigracioni në bashkinë Gjirokastër” me autore znj. Evis Fico, u prezantua më 28 shtator 2018 pranë hotel Xheko Imperial Tirana, në një event që mblodhi së bashku ekspertë, alumnë si dhe përfaqësues të organizatave partnere. Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror në Gjirokastër, znj. Magdalena Margariti, vlerësoi punimin dhe u zotua për përfshirjen e tij në dokumentat për hartimin e planit të veprimit për vitin e ardhshëm. Gjithashtu, ajo dhe aktorët e tjerë rekomanduan shtrirjen e mëtejshme të kërkimit në njësitë e tjera vendore që përballen me sfidën e kthimit të emigrantëve dhe problematikën e riintegritmit të tyre.

Punimet e plota kërkimore mund të konsultohen më konkretisht:

•    “Sfida dhe mundësi për riintegrimin e fëmijëve të kthyer nga emigracioni” – Rasti i bashkisë Gjirokastër – Autore znj. Evis Fico - Mund ta shkarkoni këtu

•    “Funksionimi i Mekanizmit Kombëtar të Referimit të Dhunës në Familje dhe roli i strukturave vendore” – Rast studimor bashkia Korçë dhe Berat – Autor z. Artur Hasanbelliu - Mund ta shkarkoni këtu

•    "Nga përfaqësimi formal i grave drejt influencimit efektiv në politikat vendore" - Rasti i bashkisë Shkodër – Autore znj. Gentiana Ramadani – Mund ta shkarkoni këtu

•    "Potenciali i demokracisë direkte në mirëqeverisjen vendore - Rasti Tiranë" – Autor z. Indrit Puteci - Mund ta shkarkoni këtu

•    "Mangësitë dhe problemet në përdorimin e mediave sociale nga bashkitë - Rasti Sarandë dhe Mat" – Autor z. Alban Tartari - Mund ta shkarkoni këtu

 

Punimet u bënë publike dhe u botuan gjithashtu në format broshure duke iu shpërndarë vendimmarrësve dhe aktorëve të ndryshëm, me qëllim nxitjen e një dialogu publik gjithëpërfshirës mbi problematikat dhe gjetjen e zgjidhjeve përkatëse. Broshura mund të aksesohet këtu.

Akademia e Studimeve Politike (ASP) është një organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 2009, nën kujdesin e Këshillit të Evropës, me synim nxitjen e një brezi të udhëheqësve të rinj politikë dhe shoqërisë civile. ASP është struktura përgjegjëse për organizimin në Shqipëri të programit Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike me kontributin financiar të Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Për më shumë informacion mbi këtë nismë mund të kontaktoni në info@asp.al