FONDACIONET E SHOQËRISË SË HAPUR NDIHMOJNË KOMUNITETET MË TË PREKURA NGA PANDEMIA E COVID-19

NJU JORK – Fondacionet e Shoqërisë së Hapur do të japin më shumë se 130 milion dollarë për të luftuar pasojat e COVID-19 në të gjithë globin, me fokus në ofrimin e lehtësirave të menjëhershme për komunitetet e prekura dhe për të kundërshtuar shkeljet e qeverive mbi liritë politike.

Angazhimi i Shoqërisë së Hapur përfshin një reagim të shpejtë në nivelin lokal ku jetojnë dhe punojnë shumë prej ekipeve tona – nga Berlini në Londër, në Meksiko Citi dhe Rio de Zhaneiro, në Aman dhe Kejp Toun. Gjysma e kësaj ndihme të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur do të shkojë për Shtetet e Bashkuara, e cila deri më tani ka pësuar numrin më të madh të vdekjeve të konfirmuara, dhe ku pabarazia sistemike do të ketë pasoja të thella globale në vitet në vazhdim. Ndërsa virusi përhapet në kontinente, ne gjithashtu do të përqëndrojmë përpjekjet tona në Hemisferën Jugore, veçanërisht në vendet ku institucionet e dobëta përballen si me shëndetin publik dhe me katastrofën ekonomike.

Financimi jonë do të shkojë për ata që janë më të rrezikuar, duke përfshirë punonjësit joformalë, me paga të ulëta dhe punonjësit afatshkurtër; refugjatët, migrantët dhe azilkërkuesit; grupet e pafavorizuara si romët në Evropë; njerëzit e pastrehë; punonjësit e shëndetit dhe kujdestarët e vijës së parë; dhe individët e ndaluar dhe të burgosur.

“Shkalla e kësaj pandemie ka nxjerrë zbuluar gabimet dhe padrejtësitë e botës sonë,” tha Xhorxh Soros, Themeluesi dhe Kryetari i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur. “Ne kemi humbur mundësinë për të krijuar një ekonomi më të drejtë pas krizës financiare të vitit 2008 dhe të sigurojmë një rrjet të sigurisë sociale për punëtorët, që janë zemra e shoqërive tona. Sot, ne duhet të ndryshojmë drejtimin dhe të pyesim veten: Çfarë lloj bote do të dalë nga kjo katastrofë, dhe çfarë mund të bëjmë ne për ta bërë atë një botë më të mirë?”

“Ky është hapi i parë i përgjigjes sonë të vazhdueshme për të adresuar dëmin ekonomik dhe politik të krijuar nga kjo sëmundje,” tha Patrick Gaspard, President i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur. “Përpjekjet tona për ndihmë emergjente do t'i mbështesin grantmarrësit tanë që menjëherë të arrijnë tek ata që nuk mund të marrin ndihmë përmes sistemeve qeveritare. Por po aq në mënyrë kritike, ne synojmë të sigurojmë që qendrat e pushtetit të mos lejojnë kurrë që ata, që janë shtylla kurrizore e ekonomive tona, të vuajnë të harruar.”

Të shqetësuar thellë në lidhje me kërcënimet e mëdha ndaj llogaridhënies, demokracisë dhe lirive individuale, Shoqëria e Hapur do të financojë gjithashtu organizata partnerë që po sfidojnë shkeljet e lirive politike, pasi udhëheqësit ndërmarrin hapa për të pezulluar qasjen në informacion, heqjen e të drejtave seksuale dhe riprodhuese, të zgjasin masat kufizuese përtej nevojave të shëndetit publik, dhe të kërkojnë armiq për të fajësuar, duke shfrytëzuar pandeminë si një mjet për të zgjeruar e shtrirë një autoritet të pakontrolluar.

Elementët specifikë të paketës së financimit përfshijnë:

  • Gati 42 milion dollarë për partnerët tanë globalë për të mbështetur punëtorët me të ardhura të ulëta, duke përfshirë sektorin informal, kujdestarët dhe të paregjistruarit; për të mbrojtur refugjatët, migrantët dhe azilkërkuesit; dhe për të siguruar qasje në vaksina dhe trajtime të reja, pavarësisht nga statusi ekonomik ose i shtetësisë.
  • 37 milion dollarë për nisma për të mbështetur punëtorët dhe familjet e tyre në qytetin e Nju Jorkut, shtëpia e zyrës më të madhe të Shoqërisë së Hapur, dhe 12 milion dollarë do të kontribuojnë në lehtësimin e urgjencës për punëtorët e cënueshëm në shumë qytete dhe shtete të tjera të Sh.B.A. 2,5 milion dollarë do të financojnë përpjekjet shtesë të komunitetit në zonat e Baltimorë, Porto Riko dhe Uashington D.C-in në të cilat punon Shoqëria e Hapur dhe me të cilat Fondacionet mbajnë lidhje të thella.
  • 9 milion dollarë drejt luftës së vazhdueshme për t'i dhënë fund përdorimit të tepruar të burgimit dhe ndalimit të detyrueshëm në të gjithë botën, i cili do të ketë një ndikim katastrofik në shëndet, duke përfshirë edhe ata që janë në rrezik më të madh në burgjet e mbushura me njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë Afrikën, Azinë, Euroazinë, dhe në Amerikën Latine.
  • 3 milion dollarë për Evropën, duke përfshirë Londrën dhe Berlinin, për grupet lokale që kundërshtojnë dezinformimin dhe u shërbejnë njerëzve më të prekshëm të qyteteve, siç janë qytetarët e moshuar. Budapesti dhe Milano ka marrë secili tashmë mbi 1 milion dollarë.
  • 3.5 milion dollarë për Afrikën Jugore, përmes Fondacionit të Shoqërisë së Hapur për Afrikën e Jugut dhe Nismës së Shoqërisë së Hapur për Afrikën Jugore, për të mbështetur shërbimet thelbësore të urgjencës dhe punën e kujdesit, dhe për të forcuar një reagim të barabartë të shëndetit publik nga shoqëria civile, media, qeveria, dhe sektori privat.