Fondacioni Shoqëria e Hapur/Soros paraqet analizën dhe rekomandimet për planin e veprimit për adresimin e 12 prioriteteve të opinionit të KE-së

Në kuadër të Programit të Mirëqeverisjes dhe Integrimit, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë/Soros ka analizuar projekt-planin e veprimit të qeverisë për adresimin e 12 prioriteteve të KE-së, miratuar në Komitetin Ndërministror të Integrimit më datë 31 janar 2011. Analiza e projekt-plan veprimit shoqërohet me propozime për përmirësimin e dokumentit dhe trajtimin e qënësishëm të 12 prioriteteve të KE-së.
Fondacioni ia ka paraqitur analizën dhe propozimet Komisionit Parlamentar të Integrimit, Ministrisë së Integrimit, Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile.
Fondacioni mbetet i mendimit se një pjesë e rëndësishme e prioriteteve nuk mund të adresohen pa konsensus ndërpartiak. Vetë hartimi i këtyre 12 prioriteteve nga ana e Komisionti Europian u nxit nga mungesa e dialogut dhe konsensusit ndërpartiak dhe trajtimi i tyre varet pikërisht nga dialogu dhe konsensusi mes palëve. Adresimi i 12 prioriteteve me në thelb zgjidhjen e krizës politike do të jetë edhe baza e vlerësimit të progresit që Komisioni Europian do t’i bëjë Shqipërisë sivjet.
Për këto arsye dhe bazuar në analizën e projekt-planit të veprimit të qeverisë, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë/Soros ka paraqitur edhe një projekt-paketë negociatash për t'u konsideruar nga partitë politike parlamentare me synim zgjidhjen e krizës politike. Projekt-paketa është një shportë me probleme kyçe të jetës politike dhe institucionale të vendit. Të trajtuara në paketë, adresimi i këtyre problemeve lejon për marrjen e përgjegjësive të barazpeshuara në funksion të maturimit demokratik dhe institucional të vendit. Si aktor i shoqërisë civile Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë/Soros gjykon se kufizimet aktuale për konsensus nuk duhet të lejohen të pengojnë përpjekjet për zgjidhjen e krizës dhe avancimin e axhendës së zhvillimit dhe integrimit të vendit.
Fondacioni do të vijojë me monitorimin e zbatimit të planit final të veprimit për adresimin e 12 prioriteteve, i cili pritet të publikohet nga Ministria e Integrimit në fund të muajit prill 2011.
Trokit këtu për analizën dhe propozimet në shqip.
Trokit këtu për analizën dhe propozimet në anglisht.

Kontakt:
Adela Halo
Koordinatore e Programit të Mirëqeverisjes & Integrimit
Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë
Rr. Qemal Stafa, Pallati 120/2, Tirana, Albania
Tel: +355 4 22 34 621/ 22 34 223/ 22 35 856
Fax: +355 4 22 35 855
e-mail: ahalo@osfa.soros.al
2011-04-25 00:00:00 Europe/Tirane