Hiqet tatimi për dhurimin e pronës (truall/banesë) ndërmjet bashkëshortëve dhe midis prindërve dhe fëmijëve

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në kuadër të Fondit të Avokatisë për Interesin Publik, prej disa vitesh (2016-2019) ka vendosur theksin tek verifikimi i kuadrit ligjor në fuqi në fusha të ndryshme të jetës në vend me qëllim, evidentimin e problematikave apo praktikave të cilat mund të përmirësohen.

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, duke vlerësuar shqetësimin e qytetarëve në përditshmërinë e tyre në lidhje me pagesën e tatimit mbi të ardhurat në rastet e transaksioneve të pronësisë midis shtetasve me lidhje familjare të afërt, u angazhua në zhvillimin e një pune studimore. Me një grup pune në përbërjen e të cilit ishin ekspertë të mirënjohur u realizua adresimi e gjetjeve të punës studimore në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për reflektimin e ndryshimeve në këtë drejtim.

Themeli i Studimit të realizuar nga Fondi i Avokatiësë për Interesin Publik pati për qëllim identifikimin e problematikave ligjore që lidheshin me mospërjashtimin nga tatimi i të ardhurave personale të gjeneruara përmes  kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, në rastet kur kjo marrdhënie rrjedh nga lidhja e afërme familjare midis palëve në kontratë, sipas nenit 360 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.

Qendra e Ligjit pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, përmes këtij njoftimi informon qytetarët se: Ministria e Financave me datë 3 Prill 2020 përmes Udhëzmit me numër 1515 ka vendosur reflektimin e ndryshimeve në udhëzimin në udhëzimin nr. 5, datë 30.1.2006 “Për tatimin mbi të ardhurat”, duke u përjashtuar përfundimisht nga tatimi i të ardhurave proceset apo marrëveshjet për dhurimin i pasurive midis familjarëve të afërt, midis bashkëshortëve, prindërve te fëmijët dhe anasjelltas.

Ky ndryshim do të sjellë një impakt pozitiv në kursimin e vlerave monetare që qytetarët paguanin si rrjedhoje e aplikimit të tatimit mbi procedurat apo aktet e dhurimit të pronësisë dhe jo vetëm.

Bashkëngjitur teksti i udhëzimit:

Në pikën 2.4 “Të ardhura të përjashtuara”, pas nënpikës 10 shtohet nënpika 10.1 me këtë përmbajtje:

“10.1 Të ardhurat e përfituara nga kalimi i së drejtës së pronësisë për banesën dhe/ose truallin, brenda lidhjes gjinore në familje, bashkëshort, bashkëshorte, fëmijë, vetëm një herë ndaj një përfituesi, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria.

Në momentin e dhurimit, përveç aktit të dhurimit ose të heqjes dorë për kalimin e së drejtës të pronësisë së banesës dhe ose truallit, duhet të paraqitet dhe depozitohet pranë noterit, dokumenti/vërtetimi që provon lidhjen gjinore në familje ndërmjet palëve që mund të jenë bashkëshort/bashkëshorte, prind/fëmijë dhe anasjelltas.

Vlera e banesës dhe/ose truallit të dhuruar dhe/ose të përfituar nga heqja dorë e pasurisë brenda lidhjes gjinore në familje, për qëllime të llogaritjes së të ardhurës personale të përjashtuar nga tatimi sipas nenit 8.1 pika 11.1 të ligjit, është çmimi minimal fiskal i përcaktuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”, në momentin e dhurimit.

Nëse çmimi i banesës/truallit të regjistruar në regjistrin kadastral sipas aktit përkatës noterial në momentin që është blerë/përfituar kjo pasuri nga dhuruesi, është më i madh se çmimi minimal fiskal në momentin e dhurimit/heqjes dorë nga pasuria, atëherë vlera e banesës/truallit është vlera sipas aktit të regjistruar në regjistrin kadastral.

Kjo e ardhur nga dhurimi brenda lidhjes gjinore për banesën dhe/ ose truallin, është e përjashtuar vetëm një herë për një përfitues.“"