Impakti i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe i vendimeve të Gjykatës së Strasburgut ndaj shtetit shqiptar në evolimin e kuadrit ligjor dhe praktikës gjyqësore vendase

Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut (GJEDNJ) sidomos vendimet e saj të dhëna ndaj shtetit shqiptar kanë qenë në fokus të veprimtarisë së Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros. Nxitja e ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të njohurive për zbatimin më të mirë e të drejtëpërdrejtë nga ana e sistemit tonë gjyqësor të KEDNJ dhe jurisprudencës së GJEDNJ si burime parësore të së drejtës sonë të brendshme janë analizuar në mënyrë të hollësishme dhe profesionale në një cikël trajnimesh që Fondacioni Soros në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit, Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Shkollën e Magjistraturës ka organizuar përkatësisht në datat 23 nëntor, 16, 19 dhe 20 dhjetor 2011.

Në këto trajnime morën pjesë rreth 26 gjyqtarë, 20 prokurorë, 34 avokatë nga Avokatura e Shtetit si dhe 45 avokatë që punojnë në Tiranë dhe në disa rrethe të vendit. Interesimi i tyre i lartë u shpreh në pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në debatet profesionale ligjore të zhvilluara gjatë sesioneve prezantuese. Trajnerët e angazhuar për këto trajnime ishin z. Kristaq Traja, ish gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut dhe znj. Elira Kokona, ish referente pranë kësaj gjykate me një ekspertizë të spikatur në këtë fushë.

Objektivi primar i Fondacionit Soros ishte ofrimi i analizave të detajuara të disa prej të drejtave të KEDNJ të cilat janë më shqetësuese për vendin tonë të tilla si respektimi i parimeve për një proces të rregullt ligjor, mbrojtja e të drejtës së pronës, e drejta për mjete efektive të brendshme ligjore. Nxitja e ndërgjegjësimit për njohjen më të mirë të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut ndaj shtetit shqiptar dhe zbërthimi analitik i mesazheve të drejtuara institucioneve shtetërore shqiptare nga ana e kësaj gjykate duhet të shërbejnë si instrumenta për përmirësimin jo vetëm të kuadrit ligjor, por dhe të praktikës gjyqësore vendase. Një gjë e tillë do të ndihmonte në ekzekutimin më të mirë të këtyre vendimeve nga ana e shtetit shqiptar, por gjithashtu do të kontribuonte në reformimin e sistemit të drejtësisë sipas standarteve të konsoliduara tashmë nga jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut dhe respektimin më të mirë të të drejtave të njeriut.

Në këtë kontekst, Fondacioni Soros i ka kushtuar vëmendje të vecantë nevojës për përmirësimin e kapaciteteve profesionale të hallkave të sistemit gjyqësor dhe avokatëve si organe që kanë rëndësi primare në evolimin e doktrinës juridike.

Fondacioni Soros vlerëson bashkëpunimin e ofruar nga Shkolla e Magjistraturës, Avokatia e Shtetit dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë përmes së cilit u bë i mundur realizimi i këtij cikli trajnimesh.