Inicohet koalicioni i vëzhguesve vendorë me 2500 raportues për zgjedhjet

Një grup organizatash jofitmprurëse shpallën publikisht inciativën monitoruese të koalicionit të vëzhguesve vendorë në monitorimin e ditës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Për kryerjen e këtij misioni koalicioni do të aktivizojë rreth 2500 vëzhgues të pavarur, të cilët do të jenë pranë çdo qendre votimi dhe rreth 400 vëzhgues që do të jenë asistojnë në çdo qendër të numërimit të votave. Gjatë ditës së zgjedhjeve vëzhguesit e koalicionit do të monitorojnë qendrat e votimit në dymbëdhjetë qarqet e vendit si dhe në 66 komisione zonale të administrimit të zgjedhjeve duke mbuluar 100 për qind të zonave urbane dhe rreth 20 për qind të zonave rurale, duke mbuluar rreth 50 për qind të qendrave te votimit dhe 100 për qind të vendeve të numërimit të votave.

Koalicioni i vëzhguesve vendorë përfshin Institutin Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, Shoqatën për Kulturë Demokratike, Gruaja për Veprim Global, - Qendra Kombinat - Për Gratë dhe Fëmijët, qendra MJAFT dhe KRIIK Albania, një rrjet organizatash partnere lokale dhe nw kryerje e wktij projekti mbwshtetet nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe Fondacioni “Soros”. Koalicioni i vëzhguesve vendorë ka krijuar një përvojë të mirë në vëzhgimin e proceseve zgjedhore në vitet 2003, 2005 dhe 2007, si dhe disa zgjedhje të pjesshme në zona të ndryshme te vendit. Aktiviteti i këtij koalicioni dhe raportet e hartuara prej tij janë vlerësuar si prurje pozitive dhe kontribut në zhvillimin e proceseve zgjedhore në vendin tonë.

Koalicioni vëzhguesve vendorë do të monitorojë zgjedhjet e radhës parlamentare, i prirur nga parimet e paanësisë dhe pavarësisë politike, objektivitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë së lartë. Për të realizuar këtë synim, koalicioni i ka kushtuar vëmendje të veçantë procesit të trajnimit të vëzhguesve. Janë zhvilluar dhe janë duke u zhvilluar më shumë se 100 seanca trajnimi, të cilat po kryhen me sukses në dymbëdhjetë qarqet e vendit. Procesi i trajnimit bazohet në Kodin e Etikës, atë Profesional, Kodin Zgjedhor si dhe parimet bazë të punës së vëzhguesit vendor. Iniciativa monitoruese e koalicionit të vëzhguesve vendorë 2009 do të përfshijë:

   1. monitorimin e procesit të votimit,

   2.  monitorimin e procesit të numërimit të votive,

   3. monitorimin e veprimtarisë së KQZ –së dhe të Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor, gjatë procesit të votim-numërimit dhe shpalljes së rezultateve,

   4. monitorimin e procesit të ankimimeve në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor.

Në ditën e votimit, i gjithë opinioni publik dhe mediat do të informohen periodikisht për ecurinë e procesit të votimit nëpërmjet një serie konferencash shtypi. Edhe në këto zgjedhje, koalicioni i vëzhguesve vendorë do të informojë rreth pjesëmarrjes së qytetarëve në ditën e votimit e në orare të ndryshme, ecurinë dhe parregullsitë në procesin e votimit dhe të numërimit të votave.