Konkurs për video për mbrojtjen e konsumatorit

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në kuadër të zbatimit të projektit të Qytetarisë Aktive për Mbrojtjen e Konsumatorit, fton individë të marrin pjesë në konkursin e videove për mbrojtjen e konsumatorit.

Konkursi ka për qëllim prodhimin e videove që paraqesin realisht nivelin e njohjes së të drejtave të konsumatorëve shqiptarë apo cënimit të tyre, advokimin për zbatimin e të drejtave, ose raste konkrete, si dhe rolin dhe efektivitetin e institucioneve me fokus mbrojtjen e konsumatorit.

Pavarësisht përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian, përpjekjes për të ngritur institucione efektive në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve, tregtarët vazhdojnë ende të shkelin të drejtat e konsumatorëve, duke mos përmbushur detyrimet e tyre ligjore që lidhen me etiketimin në gjuhën shqipe, cilësinë e produkteve, mungesën e garancisë etj.

Videot duhet të kenë karakter advokues dhe në përfundim të tyre duhet të jetë i qartë mesazhi që do të përcillet. Ato duhet të synojnë identifikimin e problemeve që lidhen me të drejtat e konsumatorëve, në lidhje me mallrat apo shërbimet, produktet ushqimore apo joushqimore, duke përfshirë cënimin e tyre nga tregtarët apo dhe institucionet e administratës publike.

Rregullat e pjesëmarrjes:

  • Gjatësia e videos rekomandohet të jetë jo shumë se 5 minuta.
  • Video nuk mund të jetë paraqitur më parë në një konkurs tjetër apo prodhuar për çdo qëllim tjetër.
  • Fondacioni ka të drejtën të redaktojë, ndryshojë, riprodhojë, publikojë dhe përdorë videot për qëllime promovimi.
  • Videot nuk mund të përmbajnë material që shkel të drejtat e të tjerëve, duke përfshirë, por, pa u kufizuar vetëm me privatësinë, publicitetin, pronësinë intelektuale, apo të përbëjë shkelje të së drejtës të autorit.
  • Markat tregtare nuk lejohen të promovohen gjatë prodhimit të videove.

   
Kriteret e vlerësimit do të bazohen në aftësinë për të shpjeguar qartë dhe në mënyrën e duhur temën e mbrojtjes së konsumatorit, origjinalitetin e videos dhe ndikimi mbi audiencën.

Çmimet:
Në përfundim të procesit të konkurrimit për tre fituesit do të ndahet nga një çmim që do të konsistojë në produkte elektronike si: një laptop, një tabletë dhe një aparat fotografik.

Videot e realizuara do të promovohen për publikun e gjerë. Ju mund t’i ndiqni videot fituese të konkursit të vitit 2016 në faqen e Facebook.

Si mund të aplikoni:
Konkurrimi do të zhvillohet në dy faza.

  • Faza e parë: Dorëzimi i një koncept – ideje ku do të sqarohet në mënyrë të përmbledhur: ideja e videos, qëllimi, mënyra e pasqyrimit të idesë dhe mesazhi që synohet të përcillet. Afati i fundit për aplikim do të jetë data 7 Maj 2017. Për të aplikuar klikoni në linkun për të plotësuar on-line informacionin e kërkuar.
  • Faza e dytë: Pas vlerësimit të koncepteve, kandidatët e përzgjedhur do të zhvillojnë një trajnim paraprak për mbrojtjen e konsumatorëve dhe përgatitjen e videove. Afati i fundit i dorëzimit të videove do të jetë data 25 Qershor 2017.

 

Për më shumë informacion lidhur me projektin mund të vizitoni linkun 1 dhe 2. Për çdo pyetje ju lutem na kontaktoni në adresën e emailit: qytetaraktiv@gmail.com.