Laboratori i debatit mbi integrimin Europian në auditorët universitarë

Integrimi europian është prioriteti më strategjik i shtetit Shqiptar dhe rrjedhimisht prek thuajse të gjitha fushat, përfshirë këtu edhe atë të arsimit dhe të të rinjve. Nga qershori i viti 2014, Shqipëria gëzon statusin e vendit kandidat për në BE. Megjithatë kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian për anëtarësim janë parakushte për kalimin e fazës tjetër të procesit, i cili është ai i hapjes së negociatave, vendim që pritet në 2020, pas përpjekjeve në qershor 2018 dhe qershor e tetor 2019. Ndërkohë që Qeveria Shqiptare dhe aktorët e tjerë politikë përgatiten për procesin e hapjes së negociatave, është e rëndësishme edhe ekzistenca e një debati publik të shëndetshëm lidhur me procesin, përfitimet, kostot dhe në tërësi ndikimin që do të ketë integrimi për Shqipërinë.

Arsimi dhe të rinjtë mund dhe duhet të luajnë një rol në këtë proces. Nevoja për zhvillimin cilësor të arsimit të lartë në Shqipëri është tashmë e mirëpranuar nga të gjithë aktorët. Zhvillimi i aftësive analitike dhe kritike të studentëve e kërkuesve të rinj është pjesë përbërëse e objektivit përfundimtar për një arsim më cilësor. Kultura e debatit, etika e të debatuarit, analiza kritike, aftësitë kërkimore dhe prezantuese janë aftësi dhe kompetenca që u nevojiten studentëve dhe kërkuesve të rinj, jo vetëm në fushën akademike por edhe përtej saj në përgatitje për tregun e punës. Me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Qendra ‘Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim’ (SCiDEV) do të zbatojë projektin ‘Laboratori i debatit mbi Integrimin Europian në auditorët universitarë’ përgjatë muajve Tetor 2019 – Prill 2020 në qytetet Tiranë dhe Durrës.

Qëllimi i projektit është të përforcojë njohuritë dhe të zhvillojë analizën kritike të komunitetit të studentëve e kërkuesve të rinj lidhur me Integrimin Europian dhe ndikimin shumëdimensional të tij në Shqipëri përmes organizimit të kampionatit të debatit në auditorët universitarë. 

Së pari, projekti synon promovimin e kulturës së debatit, kultivimin e analizës dhe të menduarit kritik, etikën në komunikim, tolerancën dhe vlera të qytetarisë aktive në Shqipëri tek studentët dhe kërkuesit e rinj. Së dyti, zhvillimin e aftësive analizuese të studentëve dhe kërkuesve të rinj lidhur me procesin e Integrimit Europian dhe ndikimin shumëdimensional të tij në Shqipëri.

Projekti do të zhvillohet në disa faza: faza e parë përkon me Trajnimin e Trajnerëve (mentorëve) lidhur me formatin dhe strukturën e debatit; faza e dytë është ajo e përgatitjes së skuadrave dhe debateve në fakultetet përkatëse. Finalizimi i projektit në fazën e fundit do të zhvillohet përmes një kampionati debati me skuadrat e kualifikuara. Informimi mbi temat e BE-së nuk përfundon me shpalljen e fituesve, por një hapësirë në formë blogu do t’i dedikohet artikujve nga kërkues të rinj, studentëve të përfshirë dhe palëve të interesuara për të shkruar mbi këtë temë, duke shërbyer si fillesë për diskutime publike ndryshe nga qasja e deritanishme në Shqipëri.

Deri më tani, janë finalizuar skuadrat e debateve nëpër universitete, si edhe ka nisur mentorimi i tyre. Secila skuadër ka katër anëtarë dhe çdo universitet do të ketë dy skuadra që përballen midis tyre. Aplikimet për tu bërë pjesë e debatit kanë qenë në numër të lartë dhe jo vetëm nga universitetet e përfshira në këtë fazë të projektit, por edhe nga universitete të tjera të Shqipërisë.  Kjo dëshmon interesin e studentëve për temën, angazhimet ekstra-kurrikulare dhe nevojën për debat të strukturuar dhe mirë-informuar.

Paketa e përgatitjes për debatin përfshin një sërë temash aktuale dhe me rëndësi thelbësore sa i takon zhvillimeve të Bashkimit Europian.  Debati do të organizohet në tre shtylla kryesore:

1.   Procesi i integrimit dhe anëtarësimit për Shqipërinë në BE sipas 5 prioriteteve kryesore: i) Reforma në administratën publike; ii) Mbrojtja e të drejtave të njeriut; iii) Lufta kundër korrupsionit; iv) Lufta ndaj krimit të organizuar; v) Zbatimi i reformës në drejtësi.

2.   Ndikimi i pritshëm i anëtarësimit të Shqipërisë në BE në:  fushën e ekonomisë dhe zhvillimit teknologjik;  tregut të punës dhe konkurrencës; bujqësisë dhe agro-biznesit/turizmit; arsimit dhe shkencës

3.   Sfidat aktuale në BE: zgjerim apo thellim; populizmi; migracioni; inteligjenca artificiale.

Në përfundim të projektit, 104 të rinj do të jenë përfitues direkt pasi kanë marrë mentorimin e duhur dhe eksperiencën në një debat të strukturuar nga 13 pedagogë të trajnuar në universitetet e Tiranës dhe Durrësit. Universitetet më të mëdha do të shohin ringjalljen e një kulture debati të munguar në auditorët universitare. Ndërkohë, në përfitim të shoqërisë, projekti synon të përmirësojë debatin publik mbi Integrimin Europian duke mundësuar rini të mirë-informuar dhe të angazhuar mbi këto çështje.

Për më shumë informacion rreth debatit në universitete na ndiqni nëpërmjet faqes së internetit, faqen e Facebook dhe/ose na kontaktoni info@scidevcenter.org.