Ligjërimi mbi reformën në drejtësi dhe vendimmarrja e organeve të vettingut.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dhe Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqioërinë gjatë vitit 2018 kanë kryer monitorimin e procesit te vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ligjërimin politik e publik mbi reformën në drejtësi. Gjetjet kryesore të raporteve përkatëse për periudhat deri në qershor 2018 (vettingu) dhe gusht 2018 (ligjërimi) tregojnë se:

  • Reforma në drejtësi vijon të jetë prioriteti kryesor institucional në Shqipëri, por ecuria drejt jetësimit cilësor të saj, vijon të jetë në disproporcion me pritshmëritë publike dhe nevojat institucione. Pas më shumë se dy vitesh ende nuk janë jetësuar institucionet kryesore të sistemit të ri, KLGJ, KLP, KED, IP etj, ndërkohë që vendi nuk ka një Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë funksionale dhe vijon të ketë një Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm.
     
  • Pas më shumë se dy viteve nga miratimi i reformës në sistemin e drejtësisë, me përjashtim të procesit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kuadri i ri ligjor i drejtësisë ende nuk po zbatohet.
     
  • Bilanci i deritanishëm i vettingut është pozitiv, por ende i pamjaftueshëm për të prekur rezultatet e reformës dhe reflektimin në sistemin e ri. Situata e krijuar kërkon një ritëm më dinamik dhe të shpejtë për të rivlerësuar kandidatët e organeve të reja të sistemit të drejtësisë dhe për të arritur në jetësimin e tyre.
     
  • Gjatë periudhës midis vettingut dhe organeve të reja të drejtësisë, sistemi i drejtësisë po punon në mënyrë të sforcuar deri në rikthimin e tij në identitetin që kjo reformë synon në interes të qytetarëve, për përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për një sistem drejtësie të pavarur, efiçient, profesional, llogaridhënës dhe të përgjegjshëm.
     
  • Vendimet e vettingut të publikura deri më tani kanë qenë të arsyetuara dhe tepër voluminoze. Megjithatë, standarti që trupat gjykuese kanë ndjekur në drejtim të strukturimit dhe arsyetimit të vendimit kanë nevojë të unifikohet, në drejtim të logjikës së arsyetimit, analizës ligjore, shpalosjes konçize dhe të qartë të fakteve, provave dhe argumentave të subjektit të rivlerësimit dhe të komisionit.
     
  • Vlerësohet si pozitiv fakti që në një sërë vendimesh të KPK-së dhe të KPA-së ka patur komisionerë, të cilët kanë qëndruar në pakicë ose kanë patur mendime paralele. Këto mendime janë tregues i pavarësisë së jashtme dhe të brendshme të institucioneve të vettingut.
     
  • Seancat dëgjimore me subjektet e vettingut vlerësohen si kryesisht profesionale, në respektim të rregullave të solemnintetit dhe etikës, transparente dhe në përputhje me ligjin. Institucionet e vettingut nuk janë mbështetur thjesht në të dhënat dhe relacionet e katër organeve ndihmëse, por ato kanë kryer në përgjithësi hetim të plotë administrativ.
     
  • Ne kemi mbështetur vendimmarrjet kurajoze e profesionale të organeve të vettingut, sic jemi kritikë me një sërë problematikash që lidhen me nevojën për standarde të unifikuara në procesin e rivlerësimit, për më shumë transparencë nga organet e vettingut, për  shqyrtim transparent të ankesave nga qytetarët, si dhe për një diapazon më të gjerë vlerësues të subjekteve të rivlerësimit pa u kufizuar vetëm në treguesit e pasurisë.
     
  • Partitë politike dhe liderit kryesorë politikë kanë ndjekur kurbë të njëtrajtshme të trajtimit të reformës në drejtësi, - mazhoranca në mbështetje dhe opozita me kritika / kontestime, - duke mos e parë reformën në drejtësi si një proces të jashtëzakonshëm institucional, por si një shtojcë të procesit politik në vend.
     
  • Partitë politike mbështetëse apo kritikuese ndaj reformës në drejtësi dhe procesit të vettingut, e kanë bazuar ligjërimin e tyre në përdorimin e retorikës mbi drejtësisë si mjet denigrimi e kërcënimi ndaj palës tjetër dhe jo si një mekanizëm transparence, përmirësimi dhe monitorimi.
     
  • Mediat kryesore shqiptare në raportimet e tyre kanë reflektuar ligjërimin politik të ditës, pra kanë shërbyer më shumë si shtojcë e ligjërimit politik sesa si institucion i jashtëm, vlerësues e monitorues për politikën dhe drejtësinë.
     
  • Mediat ndërkombëtare “VOA” dhe “DW” vijojnë të jenë dukshëm më të pavarura dhe më profesionale në raportimet e tyre mbi reformën në drejtësi, sesa mediat brenda vendit.
     
  • Në tërësi edhe mungesë të njohurive të thelluara të koncepteve bazë të reformës në drejtësi, të institucioneve të drejtësisë, të vettingut dhe të elementëve thelbësorë të reformës, qoftë nga aktorët politikë ashtu edhe nga media dhe aktorët e tjerë publikë. Nevoja për informim publik, për rritje të kulturës së ligjit dhe të njohurive demokratike, mbetet sfidë prioritare dhe për reformën në drejtësi, - edhe një emergjencë politike e publike.
     
  • Faktori ndërkombëtar përdor ligjërim standard, mbështetës, por edhe statik në lidhje me problematikat e vazhdueshme teknike që dalin gjatë jetësimit të reformës në drejtësi. Investimi i fokusuara vetëm tek faktori ndërkombëtar është dhe mund të jetë pozitiv në aspektin afatshkurtër, por në aspektin afatgjatë Shqipëria duhet të krijojë institucione vendore funksionale dhe të referueshme në aktivitetin e qëndrimet e tyre.

 

KSHH dhe ISP do të vijojnë edhe më tej monitorimin e procesit të vettingut dhe të ligjërimit politik e publik mbi reformën në drejtësi. Aktiviteti i tyre mbështetet nga Programi i Reformës në Drejtësi i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Pikëpamjet e shprehura në raportet e KSHH dhe ISP përfaqësojnë opinione e gjetje të vetë organizatave.

Për raportin e plotë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, klikoni këtu

Për raportin e plotë të Institutit të Studimeve Politike, klikoni këtu.  

Facebook Live Video