Monitorimi i Shpenzimeve Publike në Infrastrukturën Rrugore dhe U-K

Përvoja e derisotme e tranzicionit tregon se opinioni publik, qytetarët apo taksa-paguesit si dhe gazetarët, analistët dhe grupe të tjera të interesuara mbi të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore kanë vështirësi në të kuptuarit e buxhetit të shtetit, procedurave të hartimit dhe zbatimit të tij. Në të njëjtën kohë, megjithë përmirësimet e shënuara, përsëri të bie në sy fakti se buxheti vjetor i shtetit, i detajuar nën mbikqyrjen e Ministrisë së Financave dhe i paraqitur prej kësaj të fundit në Kuvendin e Shqipërisë, në mjaft raste, pëson shtrembërime të ndryshme të cilat, në thelbin e tyre, pavarësisht shkaqeve, deformojnë vetë qëllimin e buxhetit të shtetit. Po ashtu deri tani është vënë re se investimet kryesisht kryhen në periudhat e fundit të fundvitit, sidomos në muajt Nëntor dhe Dhjetor, por në një vit zgjedhor, kjo tendencë përpiqet të ndryshojë duke u përpjekur të realizohen investime pikërisht në periudhën para zgjedhjeve.

Pikërisht për të rritur kuptimin publik të të ardhurave dhe shpenzimeve të buxhetit të shtetit në fushën e transportit dhe të infrastrukturës, për të analizuar shpenzimet në transport dhe infrastrukturë gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2009 - krahasuara ato me vitin 2008, për të analizuar përvojat më të mira të vendeve në tranzicion dhe atyre kandidatë për në Bashkimin Europian, Forumi Shqiptar Social Ekonomik (ASET), mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë - Soros ka përgatitur një studim mbi “Monitorimin e shpenzimeve publike në infrastrukturën rrugore dhe ujësjellës - kanalizime” për periudhën Janar – Shtator 2009.