Monitorimi i shpenzimeve të partive kryesore gjatë fushatës elektorale

Shqipëria ka hyrë në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit 2009. Faktorë të brendshëm dhe të jashtëm kanë theksuar se standartet e tyre janë shumë të rëndësishëm për të ardhmen europiane të saj. Gjatë kësaj periudhe diskutimi publik është fokusuar më shumë në kartat e identitetit, listat e zgjedhësve apo të kandidatëve dhe pak vëmendje i kushtohet financimit të partive politike. Por, përpos tyre, politika është një ndër sektorët që vuan më tepër nga informaliteti financiar në Shqipëri. Megjithëse Kodi Zgjedhor siguron një akt ligjor për financimin publik dhe jopublik dhe një kornizë institucionale për  kontrollin e këtyre financimeve, në praktikë ky proces është jotransparent. Ka shumë sinjale se partitë shpenzojnë shumë më tepër para sesa shuma e që pëtfitohet nga buxheti i shtetit dhe nga kontributet private të deklaruara. Në themel, edhe pse financimet politike private janë të domosdoshme për të mbuluar kostot e drejtimit të një partie dhe fushatës së saj elektorale në një shoqëri demokratike, ato gjithashtu janë një burim korrupsioni kur bëhen në mënyrë informale.

Nisur nga kjo situatë fondacioni “Soros”, Forumi i Mendimit të Lirë dhe Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, me mbështetjen e NED (National Endowment for Democracy), nëpërmjet një konference shtypi, prezantuan projektin për monitorimin e shpenzimeve të pesë subjekteve politike: Partisë Demokratike, Partisë Socialiste, LSI-së, Partisë Republikane dhe G99. Ky projekt kryhet për herë të parë dhe do të monitorojë reklamat publike, televizive si dhe tubimet elektorale. Gjatë zbatimit të tij do të përdoren metoda të ndryshme monitorimi, përfshi dhe ato investigative, për të dokumentuar shpenzimet elektorale të partive politike. Këto të dhëna do të bashkohen dhe do të krahasohen me fondet që partitë deklarojnë se kanë përfituar nga buxheti i shtetit dhe donatorët privatë. Në përfundim do të përgatitet një studim ku jo vetëm do të identifikohen shumat reale që shpenzohen, por edhe do të sugjerohen rekomandime për strukturat vendimmarrëse për të pasur rregullim ligjor dhe monitorim më të saktë të financimit të partive politike. Përveç të dhënave të grumbulluara, ky studim do t’i krijojë mundësinë subjekteve te interesuara që të ndjekin në mënyrë dinamike shfaqjen e reklamave të të gjitha subjekteve politike dhe politikanëve në pesë televizione kryesore. 

Këto të dhëna do të gjenden të afishuara edhe në faqen e internetit: http://www.idramedia.com/siteok/politike.php.