Përfundon projekti ‘Rritja e presionit civil mbi hartimin e Programit Buxhetor Afatmesëm dhe Buxhetit vjetor 2019’

Me mbështetjen e Fondacionit Shoqeria e Hapur për Shqipërinë, Europartners Develoment  zbatoi projektin ‘Rritja e presionit civil mbi hartimin e Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) dhe Buxhetit vjetor 2019’ përgjatë periudhës nëntor 2017 – Korrik 2018. Projekti synoi të rrisë angazhimin e shoqërisë civile në drejtim të rritjes së transparencës së buxhetit dhe debatit qytetar në vendimarrjen e buxhetit publik në nivelin qëndror.

Projekti u realizua në dy faza:

Faza e parë: Informim dhe ngritje kapacitetesh përfshiu informimin dhe trajnimin e organizatave te shoqërisë civile lidhur me përmbajtjen e Buxhetit të vitit 2018 dhe dokumentit të PBA-së 2018-2020, si dhe si duhet të ‘lexojnë’ dhe kuptojnë dokumentin e PBA-së dhe dokumentin e buxhetit.

Faza e dytë: Mbështetje e pjesëmarrjes direkte të OSCHC-ve në shqyrtimin e PBA 2019– 2021 dhe Buxhetit 2019 dhe dhënien e opinionit lidhur me atë se si prioritete të caktuara dhe të rëndësishme për publikun dhe qytetarët, me fokus prioritetet strategjike qe lidhen me arsimin, rininë, çështjet sociale janë reflektuar në dokumentin e buxhetit.

Faza e parë e projektit filloi në me një aktivitet informues ku u ftuan përfaqësues të OSHC-ve. Pjesëmarrësit u informuan mbi procesin e hartimit të PBA-së. Një fokus i veçantë iu vu shpjegimeve lidhur me ndërlidhjen dhe reflektimin e prioriteve strategjike, kryesisht me fokus rininë, arsimin, shërbimet sociale, dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar.

Projekti vijoi me një trajnim të fokusuar në fushat prioritare të vendosura nga përfaqësuesit e OJF-ve, në datat 19-20 Dhjetor 2017. Qëllimi i trajnimit ishtë dhënia e njohurive më specifike mbi procesin e hartimit dhe përmbajtjen e programeve specifike të PBA. Projekti vijoi me asistencën për organizatat për të realizuar analizat mbi mbështetjen e programeve të mësipërme me financime në kuadër të PBA 2019-2021. Këto analiza ishin baza e diskutimeve mes OSHC-ve dhe përfaqësuesve të ministrive gjatë fazës së hartimit të PBA-së në periudhën Prill-Qershor 2018.

20 Mars 2018 Ministria e Financave dhe Ekonomisë, prezantoi Udhëzimin e ri Standard për Përgatitjen e Buxhetit si pjesë e reformimit të menaxhimit të financave publike për të kontribuar në një lidhje më të fortë midis strategjive sektoriale dhe reflektimit të tyre në buxhet. Vlen për tu theksuar rëndësia që ky Udhëzim i jep pjesëmarrjes së Shoqërisë Civile në procesin e përgatitjes së buxhetit. Shtojca 6: “Udhëzime mbi përgatitjen e buxhetimin me pjesëmarrje, u hartua nga ekspertët e projektit dhe u përfshi në Udhëzim nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Ju ftojmë ta konsultoni këtu në faqen 57.

Në datën 27 Prill 2018 u organizua seminari i fazës së dytë me përfaqësuesit e OSHC-ve si dhe ministritë e linjës mbi rëndësinë e lidhjes së planeve strategjike me PBA. Faza e parë përgatitore e PBA kishte filluar dhe ministritë e linjës ishin duke hartuar kërkesat e tyre buxhetore për PBA 2019-2021. Brenda datës 30 Prill, ministritë e linjës, duhet të zhvillonin konsultimet me shoqërinë civile, lidhur me prioritetet që do të vendosen të buxhetohen për periudhën 2019-2021. Nëngrupet e organizuara nga vetë shoqëria civile hartuan me shkrim 4 kërkesa për Ministritë e Linjës dhe konkretisht: i) Nën-grupi i Mbrojtjes Sociale; ii) Nën-grupi i Shëndetësisë; iii) Nën-grupi i Artit dhe Kulturës; dhe iv) Nën-grupi i Arsimit. Propozimet iu dërguan zyrtarisht ministrive përkatëse në mënyrë që të diskutoheshin përpara se dokumenti PBA 2019-2021 të dorëzohej në Ministrinë e Financave.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile u asistuan edhe në takimet me Ekipet e Menaxhimit të Programeve në ministritë e linjës. Sipas Udhëzimit të ri Standard, vetëm Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë organizoi konsultim me përfaqësues të OSHC-ve në 30 Prill 2018. Kjo ministri u angazhua të përfshinte në prioritetet e saj dy nga propozimet: i) shtimin e mësuesve ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta; ii) përshtatjen e kurrikulave për mësuesit me nevojat e tyre për tu njohur me veçoritë dhe fëmijët me nevoja të veçanta.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi një tryezë konsultimi me shoqërinë civile, përpara hartimit të dokumentit të PBA 2019-2021. Tryeza u organizua në bashkëpunim me Projektin e BE që asiston Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë në kuadër të zbatimit të Strategjisë së Reformës në Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020 më datën 20 Qershor 2018.

Për të mundësuar komunikimin e vazhdueshëm me qytetarët dhe adresimin e prioriteteve të tyre lidhur me PBA, Ministria e Finnacave dhe Ekonomisë, u angazhua të vijonte procesin e konsultimit deri ne fillim të Shtatorit 2018. Për këtë arsye, ajo ka hapur edhe një adresë e-mail ku përfaqësuesit e shoqërisë civile, mund të dërgojnë propozimet e tyre: konsultimepba@financa.go.al.

Për më shumë informacione rreth projektit mund të vizitoni faqen e tij në Facebook.