Përfundon projekti “SHTËPIA E KONSUMATORIT - forcimi i zbatimit të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të konsumatorëve në Shqipëri” 2020

Projekti “Shtëpia e Konsumatorit - forcimi i zbatimit të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të konsumatorëve në Shqipëri” u zbatua nga Qendra ‘Konsumatori shqiptar’ (QKSH) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) përgjatë muajve Korrik 2019 – Gusht 2020, duke mbuluar të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Projekti u strukturua në dy drejtime kryesore: i) Fuqizim i konsumatorëve; ii) Ndikim tek institucionet publike në rregullimin e kuadrit ligjor dhe rregullator në lidhje me produktet joushqimore – kategoria ashensorë.

Drejtimi i parë ka përfshirë realizimin e aktiviteteve të mëposhtme:

  1. Vullnetarët e Qendrës kanë realizuar mbi 15 takime dhe shpërndarje të fletëpalosjeve në terren në: Krujë, Berat, Durrës, Tiranë, Fshati Roshnik, Berat, Urë Vajgurore, Roskovec, Delvinë, Ksamil, Sarandë, Qafshtamë, Patos, Maliq/Podgorie, Vlorë, Shkodër etj. Disa nga këto takime në terren mund t’i ndiqni këtu: 1, 2, 3, 4, 5 etj.
  2. Janë ndjekur nga qendra mbi 50 ankesa të konsumatorëve të marra drejtpërdrejtë në terren nëpërmjet rrjeteve sociale, adresës së postës fizike, elektronike, si dhe numrit të telefonit. Fokusi kryesor i ankesave ishin: furnizimi me ujë dhe energji elektrike, shërbimi i telefonisë fikse, mobile dhe furnizimi me internet, paketat e udhëtimit, kushtet e padrejta në kontrata, kontratat me bankat, siguria e produkteve joushqimore etj.
  3. Media dhe rrjetet sociale janë përdorur në diskutimin e problematikave të konsumatorëve dhe fuqizimin e tyre, në shpërndarjen e informacioneve të ndryshme që lidhen me sigurinë e produkteve, si dhe publikimin e ankesave dhe përgjigjeve të tyre.
  4. Realizimi i një video ndërgjegjësuese në lidhje me komponentët dhe sigurinë e ashensorëve që mund ta ndiqni këtu.

 

Drejtimi i dytë ka përfshirë realizimin e aktiviteteve të mëposhtme:

  1. Për garantimin e sigurisë për konsumatorët mbi ashensorët (e cila u bë edhe më e rëndësishme pas tërmeteve në 2019) u realizuan 2 takime me ndërtuesit/importuesit, instaluesit dhe trupat e autorizuara, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT). Takimet përfshinë ndryshimet ligjore, si dhe detyrimi për instalimin e ashensorëve në konformitetet dhe markimin CE.
  2. Realizimi i 3 takimeve me administratorët e pallateve dhe mirëmbajtësit. Aktiviteti mblodhi mbi 75 administratorё tё pallateve tё ndryshme nё Tiranё të cilët u trajnuan mbi detyrimin e tyre pёr tё regjistruar pranё ISHMT ashensorët e pallateve qё administrojnë.
  3. Realizimi i dy takimeve online me njësitë e qeverisjes vendore me temë ‘Çertifikimi dhe regjistrimi ashensorëve’. Takimi synoi diskutimin e detyrimeve për ashensorët e instaluar dhe instalimet e ashensorëve në ndërtimet e reja si dhe bashkëpunimin me ISHMT.
  4. Studimi “Siguria e ashensorëveqë përfshiu të gjitha ndryshimet legjislative në fushën e rregullimit të produkteve mekanike – kategoria ashensorë në garantimin e sigurisë së konsumatorëve.

 

Në kushtet e pandemisë një pjesë e aktiviteteve janë zhvilluar online duke përfshirë:

  • 01.06.2020 në kuadër të Ditës së Fëmijëve, në bashkëpunim me ISHMT, me mbështetjen e Klinikave të Ligjit diskutimin me temë ‘Standardet e lodrave dhe kërkesat thelbësore të sigurisë. Detyrimet e që rrjedhin nga anëtarësimi në BE,’ me fokus të veçantë sigurinë dhe mbrojtjen e konsumatorëve vulnerabël siç janë fëmijët.
  • 11.06.2020 organizoi diskutim me temë ‘Maskat, standardet e mbrojtja e konsumatorit’. Diskutimi mund ta ndiqni këtu.
  • Qendra për të nxitur bashkëpunimin me institucionet publike realizoi 4 takime informuese në bashkëpunim me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit, Bashkia Tiranë. Sesionet informuese mund t’i ndiqni këtu: 1, 2, 3, 4.

 

Përfituesit kryesorë të këtij projekti janë konsumatorët, por gjithashtu dhe institucionet publike përgjegjëse si: Ministria e Ekonomisë dhe Financave, ISHMT, njësitë  e vetëqeverisjes vendore, si dhe importues, ndërtues, trupa të autorizuara, administratorë të pallateve/mirëmbajtës, etj.

Për më shumë informacion mbi realizimin e projektit mund të na ndiqni nëpërmjet faqes së Facebook, Instagram dhe/ose kontaktoni tek qendrakonsumatorishqiptar@gmail.com .