Përfundon projekti: Zhvillimi i Ndërmarrjeve Sociale në Shqipëri: Drejt një kuadri ligjor dhe praktik mundësues

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, zbatoi projektin ‘Zhvillimi i Ndërmarrjeve Sociale në Shqipëri: Drejt një kuadri ligjor dhe praktik mundësues’ përgjatë periudhës Tetor 2018 – Shkurt 2019.

Projekti kontribuoi në procesin e advokimit për përmirësimin e mjedisit mundësues ligjor, operativ dhe financiar për sipërmarrjen sociale në Shqipëri. Kjo u mundësua përmes sjelljes së bashku së aktorëve kryesorë nga sektori shtetëror, ai jofitimprurës dhe i biznesit për të forcuar mundësitë e bashkëpunimit në kuadër të inicimit dhe/ose përforcimit të nismave sipëmarrëse në vend.

Projekti kontribuoi specifikisht në:

  • Nxitjen e rrjetëzimeve dhe bashkëpunimit ndërmjet Ndërmarrjeve Sociale në nivel kombëtar dhe rajonal dhe përmirësimin e dialogut midis gjithë aktorëve në nivel kombëtar për krijimin e një mjedisi mundësues për ndërmarrjet sociale.
  • Ngritjen e një grupi pune me pjesëmarrjen e 16 OJF-ve dhe NS-ve shqiptare kontribuoi për përgatitjen e rekomandimeve në lidhje me shqetësimet mbi mjedisin ligjor, fiskal dhe operativ të NS-ve për t’ju drejtuar institucioneve publike.
  • Organizimi i konferencës ndërkombëtare “Ndërmarrjet Sociale – Drejt Politikave dhe Praktikave Gjithëpërfshirëse e cila mblodhi së bashku në 1 Shkurt 2019 mbi 150 sipërmarrje sociale, organizata jofitimprurëse në mbështetje të sipërmarrjes sociale, institucione donatore, përfaqësues nga biznesi, institucione publike dhe ekspertë ndërkombëtarë nga vendet e Evropës dhe rajonit. Konferenca kontribuoi në prezantimin  e rekomandimeve, ndarjen e modeleve të ndryshme të NSve si dhe mbi rolin e shtetit për të lehtësuar këtë mbështetje dhe bashkëpunim midis dy sektorëve. Konferencën mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link, si dhe axhenda e konferencës dhe biografitë e folësve në konferencë.
  • Përgatitja e një deklarate publike e cila u firmos nga shumë organizata mbështetëse dhe  synon avancimin e dialogut publik mbi përmirësimin e kuadrit ligjor mbi ndërmarrjet sociale në Shqipëri. Deklarata iu paraqit institucioneve donatore, anëtarë të tryezës shoqëri civile-donatorë, ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ministrit të shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, komisioneve parlamentare si: Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Komisioni për Cështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin. Deklarata, të cilën mund ta konsultoni këtu, do të vazhdojë advokimin dhe dialogun me institucionet përkatëse publike mbi problematikat e dala gjatë konferencës.
  • Rritjen e njohjes së grupeve të interesit me produktet, shërbimet dhe ndikimin e ndërmarrjeve sociale.

 

Publikimi i një udhërrëfyesi i cili ofron informacion mbi gjenerimin e të ardhurave nga OJF-të që duan të zhvillohen si ndërmarrje sociale, mënyrat e aplikimit të modeleve të ndryshme nga shitja e produkteve dhe shërbimeve me pagesë, raste studimore të OJF-ve të cilat kanë aplikuar modele biznesi në mënyrë të suksesshme, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, do të shërbejë si pikë refererimi për grupe të tjera të interesuara në këtë çështje. Udhërrëfyesin mund ta konsultoni duke klikuar në këtë link

Për më shumë informacione rreth projekti mund të kontaktoni në partners@partnersalbania.org ose info@osfa.al