Përfundon Shkolla e Integrimit Europian 2020

Pas dy javësh trajnimi intensiv dhe të suksesshëm të organizuar online përgjatë datave 2-13 Nëntor 2020 u mbyll sot edictioni i pestë i Shkollës së Integrimit Europian 2020. Shkolla organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian (BE) në Tiranë, Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung (FES).

Shkolla e Integrimit Europian është një aktivitet i rëndësishëm në mbështetje të identifikimit dhe përfshirjes së aktorëve të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, të cilët mund të kontribuojnë me ekspertizën e tyre në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. 

Këtë vit janë zgjedhur si fitues të kësaj shkolle, 37 nga 217 përfaqësues në total nga kategori të ndryshme. Kështu këtë vit u çertifikuan si pjesëmarrës: 7 përfaqësues nga ministritë e linjës, 3 nga institucionet e tyre të varësisë, 5 lektorë nga universitete publike dhe private si dhe 2 kërkues shkencorë, 2 përfaqësues nga media, 4 përfaqësues nga bashkitë, 4 përfaqësues nga Organizatat Jo Fitimprurëse, 2 përfaqësues nga Dhomat kombëtare të Avokatisë dhe Noterëve, 1 nga biznesi dhe 5 përfaqësues nga Parlamenti.

Në këtë edicion të pestë të saj, pavarësisht vështirësive të krijuar nga pandemia, kemi vijuar me ndarjen e eksperiencës profesionale në çështjet e integrimit me lektorë nga Komisioni Europian, Drejtoria e Zgjerimit; nga Universiteti Westminster i Londrës, nga Kolegji i Europës, nga Universiteti i Grazit, nga Universiteti i Strasburgut, Selanikut dhe ai Zagrebit si edhe me ekspertë ndërkombëtar në çështjet e negociatave nga vende që e kanë kaluar atë fazë siç është Kroacia, ose që po e kalojnë aktualisht këtë fazë si Serbia dhe Mali i Zi.

Për qëllim të organizimit të kësaj shkolle, ekipi i Sekretariatit Teknik të KKIE, në bashkëpunim me partnerët kanë përgatitur dy broshura: njëra për përmbledhjen e akteve ligjore në fushën e integrimit europian si dhe tjetra që tregon pse është organizuar kjo shkollë, duke përfshirë në të dhe biografitë e lektorëve të saj, në këtë edicion të pestë. 

Një nga dokumentet interesant i përgatitur si material mbështetës për Shkollën e Integrimit Europian dhe që mund ti vijë në ndihmë të gjithë publikut është Përmbledhja e Bazës Ligjore për Integrimin Europian që mund ta gjeni këtu.

Për të mësuar më shumë mbi zhvillimin e Shkollës e Integrimit Europian 2020 ju ftojmë të lexoni broshurën e shkollës, axhendën të cilat paraqesin informacion më të detajuar mbi temat, lektorët. Gjithashtu mund të konsultoni thirrjen për pjesëmarrës dhe listën e pjesëmarrësve. Për më shumë informacion mund të kontaktoni Këshilli Kombëtar të Integrimit Europian në adresën e e-mailit: Info.Kkie@parlament.al