Prezantimi në Ministrinë e Arsimit i Udhërrëfyesit për ‘Bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë në sektorin e arsimit’

Qendra Shqiptare e Asistencës Arsimore (QShAA) prezantoi në 14 Shkurt 2020 në ambientet e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve (MASR) ‘Udhërrëfyesin mbi bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë në sektorin e arsimit’ të cilin mund ta aksesoni këtu. Një grup specialistësh nga MASR u informuan mbi Udhërrëfyesin dhe patën mundësi të diskutonin mbi sfidat dhe nevojat e bashkëpunimit midis dy vendeve në sektorin e arsimit duke u fokusuar tek propozimet konkrete për bashkëpunim në sektorin e arsimit parauniversitar dhe në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Fillimisht, Prof. Asoc. Dr. Pëllumb Karameta falënderoi MASR për mundësinë që u krijoi ekspertëve të QSHAA të informonin specialitet e ministrisë për kuadrin e konceptimit të projektit dhe idetë boshtore të tij. Në parashtrimin e tij, z. Karameta theksoi që Udhërrëfyesi  ka analizuar veçmas 4 marrëveshjet ndërshtetërore dhe 1 protokoll shkencor – teknologjik, si dhe 34 marrëveshjet ndërinstitucionale të bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë publik përgjatë 10 viteve të fundit. Gjithashtu, dokumenti ofron informacion interesant për nivelin e zbatimit të secilës prej tyre, ofron 4 rekomandime kyçe për përmirësimin e bashkëpunimit dhe i konkretizon ato përmes 37 masave konkrete që besohet se do të prodhojnë produkte ndërveprimi dhe përafrimi, për të cilat ekziston vullneti politik dhe kapacitetet institucionale. Në vijim, z. Karameta shtjelloi 2 fushat dhe 20 rekomandimet që lidhen me arsimin parauniversitar.

Më pas, Prof. Dr. Anila Paparisto - një nga ekspertët e studimit - informoi specialistët e pranishëm për 2 fushat dhe 17 rekomandimet e propozuar përmes të cilave besohet që mund të përmirësohet bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë, në të dy anët e kufirit. Znj. Paparisto vuri theksin në arritjet dhe dobësitë e konstatuar nga bashkëpunimi ndërmjet universiteteve publike. Ajo tregoi që për vetë kushtet objektive dhe subjektive, Shqipëria dhe Kosova, mund të përfitojë shumë nga shkëmbimi i ekspertizave të studiuesve dhe i infrastrukturës kërkimore qe është e disponueshme në universitetet tona. Ajo argumentoi që edhe mbështetja progresive financiare e mobiliteteve të pedagogëve dhe studentëve, veçmas e studentëve të Fakulteteve të Mësuesisë, përben një parakusht me vlerë ne ecurinë drejt krijimit të tregjeve të punësimit, në arsim e më gjerë.

Udhërrëfyesi është produkt i projektit të zbatuar në Shqipëri dhe në Kosovë nga QShAA dhe Qendra e Kosovës për Arsimin (KEC) si pjesë e programit “Shqipëri – Kosovë, Dekonstruktimi i idesë së bashkimit nëpërmjet nismave rajonale të përbashkëta” mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).