Projekti - Monitorimi qytetar i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) 2009-2019

10 vite pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit (MAS), në 1 prill të vitit 2009, me një afat 10 vjeçar, është momenti për të analizuar se deri në çfarë mase është zbatuar ajo në secilën prej fushave të përfshira.
Qendra Shqiptare për Konkurueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), po zbaton projektin ‘Monitorimi Qytetar i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) .
Shoqëria civile ka një rol, themelor, në reformat që duhet të realizohen në kuadrin e proçesit të integrimit në BE. Puna e saj është e domosdoshme për të ndikuar në ritmin dhe cilësinë e proçesit të integrimit, si dhe në garantimin e mbështetjes së publikut mbi këtë proçes. Një grup ekspertësh nga shoqëria civile dhe akademike, për këtë qëllim, po kryen një analizë të pavarur të zbatimit të të gjitha neneve të MSA-së dhe kapitujve respektivë të legjislacionit evropian, përgjatë periudhës së zbatimit 10 vjeçar.
Ky projekt është në vijim të pëvojës së OSFA-së në lidhje me monitorimin e procesit të integrimit europian dhe dokumentave strategjikë që e shoqërojnë atë.
Me anë të kësaj qasjeje gjithëpërfshirëse, synohet gjithashtu nxitja e reformave duke ushtruar presion mbi institucionet publike përgjegjëse për zbatimin e angazhimeve që rrjedhin nga zbatimi i MSA edhe nga raportet vjetore të Komisionit Evropian për Shqipërinë. 
Në këtë rrugëtim të nxitjes së axhendës së anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ky projekt kërkon edhe të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të aktorëve jo-qeveritarë për të qenë protagonistë pro-aktivë në fushën e integrimit në BE duke ndikuar në debatin mbi politikat publike dhe reformat.
Pjesë e aktiviteteve të projektit janë edhe një sërë eventesh publike si konferenca dhe leksione të hapura në universitete ku do të prezantohen gjetjet e analizës së zbatimit të MSA si dhe do të diskutohet për procesin e integrimit. 
Projekti do të zbatohet përgjatë periudhës Janar – Shtator 2019 dhe për të mësuar më shumë mbi projektin mund të kontaktoni në info@acit.al dhe info@osfa.al.