Publikohet Udhërrëfyesi ‘Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në sektorin e Arsimit’

Qendra Shqiptare e Asistencës Arsimore prezantoi për publikun në 5 Shkurt 2020 ‘Udhërrëfyesin mbi bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë në sektorin e arsimit’ të cilin mund ta aksesoni këtu. Për herë të parë dy organizata të profilizuara në sektorin e arsimit nga Shqipëria dhe Kosova, Qendra Shqiptare e Asistencës Arsimore (QShAA) dhe Qendra e Kosovës për Arsimin (KEC) kanë përgatitur udhërrëfyesin përmes të cilit synohet të evidentohen arritjet, sfidat dhe nevojat e bashkëpunimit midis dy vendeve në sektorin e arsimit gjatë 10 viteve të fundit. Udhërrëfyesi, bazuar në analizën e ecurisë deritanishme, ofron propozime konkrete në arsimin parauniversitar dhe në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Në udhërrëfyes janë marrë në vlerësim profesional dhe teknik 4 marrëveshje ndërshtetërore dhe 1 protokoll shkencor–teknologjik dhe 34 marrëveshje ndërinstitucionale të bashkëpunimit mes institucioneve të arsimit të lartë publik gjatë 10 viteve të fundit, në përpjekje për të informuar për nivelin e zbatimit të secilës prej tyre.

Udhërrëfyesi ofron 4 rekomandime kyçe për përmirësimin e bashkëpunimit dhe i konkretizon ato përmes 37 masave konkrete përmes të cilave besohet se do të prodhohen produkte ndërveprimi dhe përafrimi, për të cilat ekziston vullneti politik dhe kapacitetet institucionale.

Prof. Asoc. Dr. Pëllumb Karameta i informoi të pranishmit mbi kuadrin e konceptimit të projektit dhe boshtin ku është mbështetur kjo iniciativë, ndërkohë që Prof. Dr. Anila Paparisto bëri një prezantim të detajuar të gjetjeve të projektit dhe përmbajtjen e udhërrëfyesit.

I pranishëm në këtë aktivitet, Prof. Pëllumb Xhufi, e cilësoi Udhërrëfyesin një produkt me vlerë që i shërben konsolidimit të arsimit dhe shkollës kombëtare shqiptare. Botuesi Alket Veliu theksoi nevojën e hartimit të teksteve të përbashkëta në fushën e gjuhës dhe historisë, bazuar në respektimin e specifikave të legjislacionin në fuqi.

Udhërrëfyesi është produkt i projektit të zbatuar në Shqipëri dhe në Kosovë nga QShAA dhe KEC si pjesë e programit “Shqipëri – Kosovë, Dekonstruktimi i idesë së bashkimit nëpërmjet nismave rajonale të përbashkëta” mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS). 

Ky projekt përbën risi në kontekstin e bashkëpunimit në sektorin e arsimit të dy shteteve tona. 

Prezantimi i Udhërrëfyesit u pasqyrua dhe në media. Më poshtë mund të ndiqni videon nga ABC News Albania.