Reagim i Komisionit Ad Hoc të Shoqërisë Civile

E VËRTETA ME ANËTARIN E SHOQËRISË CIVILE PËR KËSHILLIN E LARTË TË PROKURORISË

 
Nisur nga zhvillimet dhe debatet e ditëve të fundit për çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe nga disa komente që shohin si pengues për krijimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë mungesën e përzgjedhjes së anëtarit të shoqërisë civile në këtë institucion, në kuadër të transparencës dhe ndjeshmërisë së shtuar për këtë çështje, sqarojmë sa më poshtë:

Përsa i takon përzgjedhjes së anëtarit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga shoqëria civile, Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile është gjendur në pamundësi reale për t’i përcjellë Kuvendit listën me së paku 3 kandidatë për anëtar të shoqërisë civile, të cilët përmbushin kriteret e caktuara ligjore. 

Nga muaji shkurt, kur Komisioni i Shoqërisë Civile u krijua e deri në muajin tetor, me propozim të këtij komisioni nga Kuvendi i Shqipërisë janë hapur dhe njoftuar 5 thirrje publike për kandidatët që shprehin interesin për të qenë anëtarë të “KLP” si përfaqësues të shoqërisë civile. Bazuar në këto thirrje, 10 nga 11 kandidaturat e mbërritura janë skualifikuar për shkak se nuk përmbushin kriteret formale ligjore. 

Ky proçes tërësisht transparent është pasqyruar dhe në media. Për vëmendjen e shtuar të publikut lidhur me zhvillimet e fundit, vlen të theksojmë se disa nga argumentat kryesor për skualifikimin e këtyre kandidaturave kanë qenë:

- Mospërmbushja e kriterit 15 vite përvojë pune në profesion si jurist;
- Mungesa e të provuarit me fakte dhe prova konkrete të angazhimit të këtyre kandidatëve në shoqërinë civile, mungesa e një profili të spikatur shoqëror, integriteti të lartë moral apo justifikimi i aseteve.
 
Komisioni vlerëson se kriteri i vendosur për 15 vite përvojë pune në profesion si jurist ka qenë një ndër faktorët kyç që ka prodhuar situatën aktuale me kandidaturat për KLP të ardhura nga shoqëria civile.
 
E gjithë procedura sa më sipër është e dokumentuar, ndërsa duhet theksuar se gjatë kësaj periudhe Komisioni është përballur me katër procese gjyqësore të iniciuara nga kandidatët e skualifikuar për KLP, raste për të cilat Gjykata ka lënë në fuqi vendimarrjen e Komisionit të Shoqërisë Civile.

Pas përfundimit më 30 nëntor 2017 të afatit të thirrjes së gjashtë për shprehje interesi, Komisioni i Shoqërisë Civile është në pritje të përmbushjes së afateve ligjore dhe procedurale nga Avokati i Popullit, me qëllim që të shqyrtojë pesë kandidaturat e reja, të kryejë seancën dëgjimore me kandidatët e kualifikuar duke synuar përfundimin e procesit brenda muajit Dhjetor.
 
Komisioni gjen rastin të shprehë dhe njëherë angazhimin e tij maksimal në zbatimin e reformës në drejtësi dhe konstituimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit gjyqësor.
 
Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile