Rekomandime për ndryshimet në Ligjin për Tregtinë Elektronike

Në datë 25 Mars 2016, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Insituti Shqiptar i Medias,  kanë dërguar komentet e tyre mbi projekt-amendamentet e Ligjit për Tregtinë Elektronike, Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Znj. Milena Harito, në pergjigje të kerkesës për konsultim me  grupet e interesit.

Sipas opinionit të ekspertëve ligjorë të Fondacionit dhe të Institutit, skema e propozuar për përgjegjësinë ligjore  të administratorëve të ptalformave online, lidhur me komentet e të tretëve,   është jopraktike në zbatueshmërinë e saj, nuk garanton sigurinë juridike dhe mbi të gjitha rezulton e papajtueshme me garancitë kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut.

Kjo bazohet në dy shqetësime kryesore :

Së pari, skema e propozuar e kthen “safe harbor” të Direktivës të Tregtisë Elektronike të Bashkimit Europian në një regjim penalizues, i cili eliminon autonominë editoriale të portaleve dhe i shtrëngon ato të heqin informacionet e kontestuara thjesht në bazë të një ankimi privat. Kjo është një skemë që praktikisht sanksionon censurën private.

Së dyti, skema e propozuar mbështetet në supozimin se për cdo konflikt të mundshëm ligjor, ekzistonnjë organ kompetent administrativ që mund ta zgjidhë konfliktin në mënyrë të shpejtë, pas referimit të çështjes nga portali. Në fakt, kjo zgjidhje mund të jetë e përshtatshme vetëm në disa situata të vecanta, si mbrojtja e të dhënave personale; ndërsa në fusha të tjera krijon rrezikun e censurës ekzekutive.

Një analizë juridike të detajuar për sa më sipër e gjeni në materialin duke klikuar këtu, së bashku me rekomandime konkrete për përmirësimin e projekt-amendamenteve.