Rinis mbështetja për kërkimet e alumnëve të Shkollës mbi politikat në nivel vendor

Akademia e Studimeve Politike (ASP) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), po zbatojnë fazën e dytë të mbështetjes për punime kërkimore dhe advokuese me synim përmirësimin e politikave në nivel vendor. Ky program synon zhvillimin e mëtejshëm të angazhimit qytetar dhe profesional të antarëve të rrjetit të alumnëve (ish-pjesëmarrësve) – rreth 300 pjesëmarrës të dhjetë gjeneratave – përfaqësues të partive politike, shërbimit publik, shoqërisë civile, botës akademike dhe medias, të cilët veprojnë si promotorë të ndryshimit dhe të zbatimit të reformave të rëndësishme integruese në vend. 

Pas një procesi të hapur aplikimi në muajin Maj 2017, u përzgjodhën gjashtë propozimet më të mira të alumnëve, të cilët do të përfitojnë trajnimet përkatëse mbi teknikat e kërkimit dhe advokimit si dhe mbështeten financiarisht në këto aktivitete.

Më konkretisht, punimet kërkimore janë fokusuar në këto çështje: 

  • “Mbështetje e targetuar  nga pushteti vendor për fëmijët e emigrantëve të kthyer” – Rasti i bashkisë Gjirokastër;
  • “Funksionimi i Mekanizmit Kombëtar të Referimit të Dhunës në Familje dhe roli i strukturave vendore” – Rast studimor bashkia Korçë dhe Berat;
  • “Pjesëmarrja e grave në ndikim të proceseve vendimmarrëse në qeverisjen vendore. Nga mësimet në sfida të reja” – Rasti i bashkisë Shkodër;
  • “Transferimi i kompetencave të menaxhimit të skemës së shërbimit të kujdesit shëndetësor parësor drejt pushtetit vendor” – Rasti i bashkive Shkodër dhe Belsh;
  • “Demokracia direkte si një nxitje për pjesëmarrjen dhe pronësinë qytetare në vendimmarrjen e bashkisë Tiranë”;
  • “Strukturimi dhe ndërtimi i komunikimeve në rrjete (online) nga qeverisjet vendore – Rasti studimor në bashkinë Vlorë dhe Dibër;

 

Alumnët e përfshirë në këtë program zhvilluan më 4 korrik 2017 trajnimin e parë mbi shkrimin kërkimor me mentoren e programit znj. Gentiola Madhi. Një trajnim i dytë është parashikuar gjithashtu të zhvillohet mbi teknikat e advokimit në muajin shtator 2017. Punimet priten të përfundohen dhe prezantohen në evente publike gjatë muajve tetor – dhjetor 2017, duke synuar advokimin dhe bashkëpunimin me aktorë të tjerë, me qëllim përmirësimin e këtyre çështjeve të rëndësishme.