Shqipëria, Politika, Demokracia: Kontroll dhe balancë

Artan Hoxha 

Fjala e mbajtur në Forumi civil "SHQIPËRIA, POLITIKA, DEMOKRACIA: Kontroll dhe balancë" të organizuar nga Fondacioni Soros më datë 15/01/2010

1. Gjëndja e rënduar e marrëdhënieve politike mes maxhorancës dhe opozitës, nisur fill mbas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, zgjatja e saj me muaj të tërë, shanset e dobëta për tërheqje të palëve në të ardhmen e shpejtë, po fillojnë të shkaktojnë kosto mbi dobinë publike: progresi më i dobët e më i ngadaltë në zhvillimin demokratik, ekonomik dhe integrues. Nëse nuk do të ketë një përmirësim të klimës politike janë të gjitha gjasat që kosto publike do të rriten në mënyrë ekspotenciale. 

2. Mund të pranojmë pa nevojën e vërtetimit që, e gjithë shoqëria në tërësi, konvergon plotësisht në efektet negative të sjelljes së politikës, me kushtin që politika shihet si një e tërë dhe e pandarë. Konvergjenca humbet kur bëhet fjalë për rolin e një pale të caktuar politike. Një pjesë e shoqërisë vlerëson si pozitive deri jetike sjelljen e opozitës dhe të dëmshme atë të maxhorancës ndërsa ka një tjetër pjesë shoqërore që mbështet maxhorancën dhe anatemon opozitën. Shkalla e lartë e politizimit shoqëror mbështet hipotezën se këto dy pjesë përbejnë një përqindje të lartë të elektoratit. 

3. Ndërkaq, s’ka se si që një pjesë e shoqërisë, sado e vogël qoftë, të mos konvergojë në mendimin që sjellja destruktive, pavarësisht se cila palë e bën, është e pajustifikuar dhe e dëmshme. Zakonisht një grup i tillë shoqëror priret që të shuajë diferencat mes palëve dhe t’i vlerësojë ato negativisht në mënyrë simetrike. Për këtë shkak ky grup shoqëror shfaqet neutral, pra i padobishëm, pasi nuk mund të shkaktojë asnjë prishje të balancave politike. Për pasojë zhvillimet mbeten të pavarura nga ky grup dhe varen vetëm nga dinamika e lojës dhe forcës së dy palëve politike në konflikt. 

4. Vetë palët politike në lojë, për interes afatshkurtër apo mungesë njohjeje të opinionit publik, e perceptim të risqeve që ato vetë mund të kenë nga sjellja e tyre, duket se kanë më shumë prirje të përdorin sjelljen dhe metodat destruktive sesa ato konstruktive. Palët priren të besojnë se fitojnë më shumë se sa humbasin nga destruktiviteti. Për sa kohë palët, apo qoftë njëra prej tyre nuk do të konceptojë të kundërtën, me arsyetim apo me provë, ka shumë gjasa që sjellja destruktive të mos ketë mbarim.

5. Meqë ka gjasa që çështja të mos mund të zgjidhet nga vete palet politike dhe as nga grupi neutral i paefektshëm ne prishjen e statuskuose konfliktuale, çështja është nëse ka apo a mund të krijohet një grup presioni shoqëror i cili të mund të luajë një rol efektiv. Me fjalë të tjera çështja shtrohet nëse: i) ekziston një grup shoqëror apo votuesish që nuk mendon, vepron a sillet si tre grupet e sipërpërmendura!?; ii) nëse PO, a mund të nxjerrë ai përfaqësues: individë apo organizata, me motivim, fuqi e kompetencë për të ndikuar palët në sjelljen e tyre!?;  iii) nëse Po, çfarë mund të bëjnë këta dhe si duhet ta luajnë ketë rol.

6. Vështirë që të mos ketë një segment shoqëror, me një farë peshe, qofte edhe te vogël në tërësinë e elektoratit, që të jetë i ndryshëm nga tre grupet e sipërpërmendura. Analizat e zgjedhjeve dhe studimeve shoqërore e politike flasin për ekzistencën e një grupi të tillë. Edhe në mënyrë logjike, duke përfshire ne ketë grup individë me disa cilësi bazë: i) nuk kanë lidhje të forta shpirtërore me asnjë nga palët politike në konflikt pavarësisht se mund të kenë votuar apo simpatizojnë njërën nga palët politike ii) nuk kanë lidhje të forta interesi me asnjë nga palët politike në konflikt iii) janë aktiv lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje iv) informohen mjaftueshmërisht mbi zhvillimet politike dhe interesohen për detajet e çështjeve (thënë ndryshe nuk i sheshojnë dallimet dhe nuk iu bien shkurt gjërave) dhe arrijnë të bëjnë dallimin mes këtyre detajeve v) janë të gatshme të informohen nëse iu jepet mundësia; s’ka se si te mos kemi një bashkësi individësh me cilësi te tilla.

7. Sa më i madh të jetë një grup i tillë shoqëror aq më shumë shanse ka për të ndikuar lojën e palëve politike në konflikt. Por për faktin se bleshtetja elektorale është pak a shumë e barabarte mes dy palëve, një grup i tillë shoqëror, edhe në rendin e 3,4 apo 5% të elektoratit mund të bëjë diferencën dhe mund të jetë një kërcënim për suksesin a dështimin e ardhshëm elektoral të secilës palë politike që do të humbte mbështetjen e këtij grupi (qoftë edhe të pjesës më të madhe të tij e jo domosdoshmërisht të së tërës).

8. Me hipotezën se një grup i tillë shoqëror/elektoral ekziston, shtrohet çështja se si do të mund të artikulohet publikisht opinioni i këtij grupi dhe si do t’i bëhet prezent palëve në konflikt kërcënimi i mundshëm prej tij. Pa përjashtuar mundësinë që mjaft individë të caktuar nga ky grup veprojnë vetë, me iniciativë, aty ku jetojnë e punojnë, është e nevojshme që qëndrimi, pritshmëria dhe sjellja e mundshme e ardhshme e këtij grupi shoqëror të mund të shtrohen publikisht ne mënyre te organizuar.

9. Për këtë aksion kërkohen individë/organizata të spikatura, me profil të njohur publik që në një farë mënyre bëhen përfaqësuesit e segmentit shoqëror në fjalë. Që këta individë/organizata ta luajnë këtë rol është e nevojshme që këta: i) të kenë të njëjtat karakteristika cilësore të këtij grupi shoqëror ii) të ndërmarrin nisma studimore dhe vlerësuese të opinionit, pritshmërisë dhe sjelljes së këtij grupi shoqëror iii) këto gjetje të mund t’i transmetojnë dhe argumentojnë publikisht iv) të kenë mundësitë dhe aftësitë të komunikojnë me secilën nga palët politike në konflikt për t’iu bërë të qarta risqet që prodhojnë sjelljet dhe veprimet e tyre për interesin publik dhe për secilën pale.

10. Përveç sa më sipër, është e nevojshme që të formulohen edhe disa hipoteza test lidhur me kuptimin që ka ky grup shoqëror/elektorati dhe grupi qe do ndërmarre aksionin ne fjale, mbi dobinë publike, sjelljen konstruktive/destruktive të palëve në raport me dobinë publike dhe mënyrën se si ky grup mund të reagojë ndaj kësaj sjelljeje. 

11. Qëndrimet qe mund dhe duhet bashkojnë grupin e aksionit jane: i) zgjedhjet e 28 qershorit prodhuan maxhorancë dhe qeveri legjitime; ii) opozita është legjitime dhe çështjet e saj të lidershipit janë çështje të brëndshme tashme; iii) është i papranueshëm përdorimi i termave të ashpër dhe ekstremale në cilësimin respektiv mes maxhorancës dhe opozitës e liderëve përkatës iv) Shqipëria është një demokraci, me defekte, por qe gjithsesi sistem demokratik e ligjor ofron mundësi të shumta për zgjidhje institucionale e Kushtetuese të çështjeve mes palëve; v) ka vetëm një rrugë zgjidhjeje, ajo e sugjeruar në mënyrë konstante nga komuniteti ndërkombëtar: Dialog në Kuvend dhe zgjidhje brënda kuadrit kushtetues.

12. Mendoj se këto vlerësime bëhen edhe nga çdo individ i grupit shoqëror në fjalë, pra mundet qe këto te jene qëndrimet bashkuese. Gjithsesi këto duhen testuar me studime mbi grupin shoqëror dhe me diskutime mes individëve qe dëshirojnë te përfshihen ne aksionin publik. Rezultatet e këtyre studimeve duhen artikuluar publikisht nga individë dhe organizata me statuse publike e të motivuara për të luajtur një rol e që ndajnë të njëjtat qëndrime. Por nëse nuk është apo nuk do të rezultojë një bashkësi qëndrimesh te përbashkëta? Atëherë grupi i katërt nuk ekziston dhe për rrjedhojë do jemi të detyruar që zgjidhjen ta presim nga vetë palët në konflikt.