Starton edicioni i II-të i projektit “Re-Debate – Rigjallërimi i Kulturës së Debatit”

Pas suksesit të “Re-Debate 4.0, Rigjallërimi i kulturës së debatit”, Organizata LIBURNETIK ka nisur zbatimin e edicionit të II-të Projektit të Debatit, me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Këtë vit ekipi organizativ i është bashkuar edhe Kongresi Kombëtar Rinor, i cili do të ndjekë në çdo fazë projektin përgjatë rrugëtimit në të gjithë Shqipërinë.

Në logon “Re-Debate 4.1 – Rigjallërimi i kulturës së debatit”, ka nisur me qytetin e Tiranës Faza e trajnimeve që do të vazhdojë me qytetet e tjera që janë pjesë e këtij edicioni.  Falë mbështetjes së Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve projekti këtë vit do të përfshij 28 shkolla të mesme si një aktivitet jashtë kurrikular dhe do të ketë një shtrirje në 15 qytete të vendit, Shkodër, Kukës, Rrëshen, Burrel, Lezhë, Tiranë, Kamëz, Krujë, Fushë Krujë, Durrës, Gramsh, Berat, Fier, Elbasan dhe Korçë.

Bazuar në traditën e gjatë dhe risitë që pruri edicioni i kaluar, me “Re-Debate 4.1” qëllimi i projektit mbetet edukimi i tolerancës për mendimet e ndryshme dhe bashkëpunimi midis të rinjve, për t’i afruar ata drejt një modeli debati konstruktiv, etikë në komunikim, të menduarit kritik, përballë modeleve të gabuara në shoqërinë shqiptare.

Projekti “Re-Debate 4.1, Rigjallërimi i kulturës së debatit” vazhdon si një domosdoshmëri për të rinjtë, pasi megjithëse mjetet e komunikimit në ditët e sotme janë të shumta dhe të larmishme, sërish në Shqipëri vihet re mungesa e hapësirave për debat nga qytetarët, për qytetarët dhe problemet e tyre. Hapësira e debatit është ‘pushtuar’ nga politika apo çështjet e saj dhe nga ‘ekspertët’ që inkurajojnë modele në dukje elitare, por që kanë humbur perspektivën e përfshirjes së aktorëve të interesit për të diskutuar çështje me dhe në interes të publikut të gjerë.

Formatet e debateve televizive dhe debati parlamentar nuk janë aspak modele të mira për edukimin e qytetarëve, sidomos të të rinjve, me vlerat e një shoqërie të hapur, tolerancës dhe bashkëpunimit. Përkundrazi, përgjithësisht ato ndjekin strategjinë e anatemimit të kundërshtarit me një ligjërim negativ.

Ekziston ende një hendek i madh midis potencialeve të të rinjve dhe aftësive e shprehive të tyre për të debatuar duke përdorur të menduarit kritik. Të menduarit kritik, konsiderohet nga Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (Programme for International Student Assessment, PISA), si një nga kriteret kryesore që duhet të kenë të rinjtë në ekonominë e re globale të shekullit të XXI.

Projekti do të shtrihet në 28 Shkolla të Mesme, në 15 qytete dhe do të përfshijë në mënyrë direkte dhe indirekte më shumë se 900 nxënës. Të gjitha aktivitetet, të cilat do të zgjasin rreth 10 muaj, do të zhvillohen nën formën e një Kampionati (Tournament), në tre faza përgjatë periudhës Shtator 2018 – Qershor 2019:

  • Faza e parë do të zhvillohet brenda secilës shkollë me trajnimet;
  • Faza e dytë do të zhvillohet në rang qyteti;
  • Faza e tretë përfundimtare do të zhvillohet në Tiranë me debatin kombëtar.

 

Pas përfundimit me sukses të projektit Re-Debate 4.0, u evidentua se mbështetja për kultivimin e kulturës së debatit është e domosdoshme dhe ka një ndikim tek të rinjtë e shkollave të mesme.

Shkollat e mesme që do të përfshhen në projektin Re-Debate 4.1 janë:

Kamëz: “Ibrahim Rugova” dhe “Isa Boletini”.

Fushë Krujë: “Shote Galica”

Durrës: “Gjergj Kastrioti” dhe “Naim Frashëri”.

Rrëshen: “Gjimnazi Rrëshen”.

Lezhë: “Hydajet Lezha” dhe “Ishull-Lezhë”.

Elbasan: “Dhaskal Todri” dhe “Kostandin Kristoforidhi”.

Korçë: “Themistokli Gërmenji” dhe “Raqi Qirinxhi”.

Gramsh: “Shefqet Guzi”.

Berat: “Kristo Isak” dhe “Kristaq Capo”

Fier: “Janaq Kilica” dhe “Perikli Ikonomi”

Shkodër: “28 Nëntori” dhe “Jordan Misja”.

Kukës: “Havzi Nela”.

Burrel: “28 Nëntori”.

Krujë: “Skënderbeu”.

Tiranë: “Sami Frashëri”; “Ismail Qemali”; “Qemal Stafa”; “Petro Nini Luarasi”; “Andon Zako Çajupi”; dhe “Harry Fultz”.

Për më shumë informacion rreth projektit mund të kontaktoni info@liburnetik.org ose debati@osfa.al.