Takimi i tretë i forumit civil: Demokracia dhe shteti i së drejtës në Shqipëri

Tematika: 

Shkarko Dokumentat: 

Në 29 Prill 2010 në mjediset e hotel “Rogner Europa Park” Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë (Fondacioni Soros) zhvilloi takimin e tretë të forumit civil: “Demokracia dhe shteti i së drejtës në Shqipëri”. Ky takim mori shkas nga raporti më i fundit i publikuar nga FRIDE (Fondacioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Dialog me Jashtë – Spanjë). 

Drejtori Ekzekutiv i fondacionit Soros z, Andi Dobrushi, si moderator i debatit, tha në fjalën e hapjes se ky forum realizohet në kuadrin e iniciativave për një angazhim qytetar dinamik dhe është konceptuar si hapësirë e mendimit të lirë dhe diskutimit publik për çështje të rëndësishme të aktualitetit shqiptar, duke u mbështetur në kontributin e personaliteteve dhe praktikave evropiane. 

Forumin e përshëndetën përfaqësuesi i Institutit për Shoqërinë e Hapur Jonas Rolet dhe përfaqësuesja e FRIDE-s znj. Sofia Sebastian. Pjesëmarrësit e shumtë në debat si Henri Çili, Gëzim Tushi, Gerti Shella, Alfred Moisiu, Rexhep Mediani, Ditmir Bushati, Ilri Alia, Sotiraq Hroni, Edmond Leka, Ylli Manjani, Arbjan Mazniku, Mentor Kikia, etj analizuan anë të ndryshme të raportit të FRIDE-s dhe kërkuan një reflektim më të madh nga politika shqiptare.

Në forum u bënë një sërë rekomandimesh, mes të cilave:

•Në kushtet e monopolizimit të jetës politike nga dy partitë kryesore, kërkohet një veprim më aktiv i shoqërisë civile;

•Të shikohet mundësia e krijimit të koalicioneve mes organizatave jofitimprurëse;

•Të ndërmerren veprime konkrete që të synojnë demokratizimin e forcave politike;

•Të bëhen përpjekje për të rritur pavarësinë e medias.

Raporti i monitorimit të demokracisë në Shqipëri kryer nga FRIDE (Fundación para las Relaciones Internacionales y el Diálogo Exterior- Fondacioni për mardhënie ndërkombëtare dhe dialog me jashtë – Spanjë)

Përmbledhje ekzekutive

Zgjedhjet e fundit në Shqipëri u mbajtën më 28 Qershor 2009. Këto zgjedhje përfaqësonin një moment kyç në aplikimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por politizimi i numërimit të votës bëri që opozita të kontestonte rezultatin dhe të bojkotonte parlamentin për gjashtë muaj. Ndërkohë që ndryshimi i këtij qëndrimi është një prioritet i qartë për Shqipërinë në mënyrë që të ecë përpara me procesin e shumë-dëshiruar reformues, ky raport argumenton se konflikti mes qeverisë dhe opozitës është vetëm manifestim i disa problemeve shumë më të thella të cilat e dëmtojnë zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Shumë aktorë vendas dhe të huaj konkluduan se nuk ka relaps demokratik në Shqipëri. Megjithatë ata i druhen stagnacionit i cili po godet vendin. Është njohur progresi në disa fusha specifike si psh lufta kundër korrupsionit në shkallë të ulët dhe në konsolidimin e fjalës së lirë, por janë ngritur shqetësime lidhur me zbatimin e ligjit, të sistemit gjyqësor, menaxhimin e zgjedhjeve, pavarësinë e medias dhe kontrollin mbi korrupsionin e shkallës së lartë. 

 

Zbatimi i ligjit

Respektimi i ligjit në Shqipëri po mbetet prapa vendeve të tjera të rajonit sipas Indikatorëve Të Qeverisjes nga Banka Botërore. Ndërsa burimet lokale dhe ndërkombëtare sugjerojnë se standartet ligjore janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme në vitet e fundit, sidomos në letra, ka shqetësim lidhur me aftësinë e legjislativit për të krijuar një sistem bazuar në principet e rregullit dhe parashikimit dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga përdorimi abuziv i pushtetit. Kritika të mëdha janë përqëndruar jo vetëm në zbatimin e ligjeve – një problem i ngjashëm në shumë vende të Ballkanit Perëndimor – por edhe në përbërjen e disa ligjeve. Implementimi jo efektiv dhe i papërshtatshëm gjithashtu ka dëmtuar zbatimin e ligjit në Shqipëri. Në të vërtetë, ashtu sikurse u vu re edhe nga aktorët vendorë dhe zyrtarët ndëkombëtarë, ligjet në Shqipëri shpesh nuk vëzhgohen ose aplikohen në mënyrë selektive. Intervistat nxjerrin në pah se përkthimi i varfër i legjislacionit europian apo përshtatja e pjesshme e modeleve ndërkombëtare gjithashtu kanë hapur probleme ne stadin e implementimit duke afektuar kështu vazhdimësinë dhe kongruencën e sistemit ligjor si një sistem i plotë. Rezultati i fundmë ka qenë promovimi i një kulture të mos zbatimit në të gjithë vendin. 

 

Gjyqësori dhe ndarja e pushteteve

Pavarësia e sistemit gjyqësor në Shqipëri është gjithashtu nën stres. Bazuar në radhitjen e bërë nga Freedom House’s Nations in Transit 2009, pak progres është bërë që nga fillimet e 2000-it. Pjesa më e madhe e intervistimeve ranë dakort me faktin se situata e gjyqësorit mbetet problematike dhe ua vënë gishtin pesë çështjeve kyç të cilat shërbejnë për të dëmtuar pavarësinë e gjyqesorit. E para ka të bëjë me mungesën e standarteve të qarta për pavarësi, gjë e cila lejon ndërhyrje diskrete të qeverisë; shqetësim i veçantë është ngritur në lidhje me dy shërbimet inspektuese paralele përfaqësuar nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Këshilli Lartë I Drejtësisë. E dyta ka të bëjë me politizimin e disa investigimeve të ndërmarra nga zyra e Prokurorisë së Përgjithshme. Çështja e tretë korrupsioni i përhapur brenda sistemit gjyqësor, i cili jo vetëm që e ka ndaluar atë të bëj rolin e ëatch-dog në cështjet e korrupsionit por e ka pajisur qeverinë edhe me justifikim për të vazhduar me ndërhyrjet pervazive. Mungesa e burimeve, përfshirë edhe kapacitetet e pamjaftueshme për të fuqizuar vendimet e gjyqit, është një tjetër problem i shumë-përmendur. Dhe në fund është përmendur si vështirësi edhe mungesa e një vizioni dhe mosbesimi i zyrtarëve shtetëror në gjyqësor.

 

Standartet zgjedhore dhe sistemi dy-partiak

Që nga viti 1992, asnjë nga zgjedhjet e mbajtura në Shqipëri nuk është konsideruar si e lirë dhe e drejtë nga OSBE, ashtu sikurse nuk kanë qenë në përshtatje me standartet e njohura nga ndërkombëtarët. Pikët e Shqipërisë për procesin elektoral në radhitjen e Freedom House ishin shqetesueshëm të ulëta dhe Shqipëria renditet si performuesi më i keq në rajon me një marzh shumë të madh. Zgjedhjet e Qershorit të 2009-ës përfaqësuan një hap para dhe OSBE deklaroi se ishte bërë “progres i dukshëm”. Pavarësisht këtij hapi, zhvillimet e para dhe menjëherë pas zgjedhjeve ngritën shqetësime në rangjet ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me parregullsitë rreth menaxhimit të zgjedhjeve të qershorit 2009, përfshirë disa incidenteve fatale dhe ndodhisë së dhunës lidhur me numërimin e votës dhe tabulimit. Klima politike e acaruar që rezultoi nga zgjedhjet çoi në bojkotimin e parlamentit nga ana e opozitës dhe në kërkesën e mëpasshme për të hapur kutitë e votimit në interes të transparencës. Së fundmi, bojkoti jo vetëm që ka dëmtuar insitucionet demokratike tashmë të dobësuara por njëkohësisht ka futur vendin në kontroversion duke përkeqësuar perceptimin në nivelin-bazë se zgjedhjet në Shqipëri janë vetëm një betejë pushteti mes dy individësh konkurrentë. Aktorët vendas dhe ndërkombëtarë dolën në përfundimin se kjo situatë shërbeu për të polarizuar shoqërinë në të gjitha nivelet, duke e bërë më të vështirë për reformuesit për ta larguar fokusin nga çështjet thelbësore dhe nga debati politik. Për më tepër sondazhe të ndryshme ilustrojnë se shoqërisë i është shtuar zhgënjimi nga proceset politike. Njëkohësisht është e kuptueshme që rrugët për angazhim dhe pjesëmarrje qytetare mbeten të pazhvilluara ashtu sikurse janë shprehur aktivistë civilë të ndryshëm.            

 

Pavarësia e mediave

Pavarësia e mediave është një fushë tjetër e vështirë. Shqipëria aktualisht renditet e 88 nga 173 vende në raportin e organizatës “Reporterë pa Kufij” të quajtur “indeksi i lirisë së shtypit”. Ky klasifikim pëson një rënie nga viti 2003, kur Shqipëria renditej e 34 dhe ishte e para në Ballkan. Ndërsa degradimi I lirisë së shtypit në Ballkan është një fenomen mjaft I gjërë, Shqipëria ka performancë më të keqe në Ballkan që prej vitit 2006. Janë dy çështje kryesore që  kanë bërë lirinë e medias në Shqipëri veçanërisht problematike. E para është ekzistenca e një strukture legale dhe institucionale të dobët; që përfshin edhe krijimin e institucioneve rregullatore të reja që janë mjaft të politizuara, duke penguar kështu kapacitetin e tyre për të krijuar një klimë favorizuese për zhvillimin e lirisë së medias. Por çështja më delikate që ndikon në lirinë e medias rrjedh nga ndërhyrjet e vazhdueshme në të nga biznesi dhe politika. Tregu i medias në Shqipëri është sa i fragmentuar ashtu edhe i tejngopur. Kjo ka bërë që të krijohet një klimë që në mënyrë që të qëndrosh në biznes shumë media të ndryshme janë të varura nga burime financimesh që burojnë nga promovimi I një sipërmarrjeje ekonomike ose i një axhende politike. Për më tepër, ndërthurjet midis biznesit, politikës dhe medias kanë rezultuar në krijimin e një media të polarizuar dhe që mban anë, gjë e cila reflekton ndarjen e madhe politike dhe dështon në paanësi. Pengimi i natyrës së hapur të medias është përhapur gjithashtu shumë, gjë që theksohet si nga vëzhgues jashtë ashtu edhe nga brenda vëndit. Rezultati i pashmangshëm i kërcënimit dhe abuzimit ka qenë patjetër vetë censurimi i medias.

 

Korrupsioni

Korrupsioni dhe krimi i organizuar në Shqipëri përfaqëson “të vetmin kërcënim për funksionimin e institucioneve dhe rregullit të ligjit në Shqipëri”, sipas Këshillit të Europës. Indikatorët e Qeverisjes të Bankës Botërore tregojnë rezultate në rritje të Shqipërisë në kontrollin e korrupsionit që prej 2003, por Shqipëria mbetet përsëri vëndi më I korruptuar në Ballkanin perëndimor. Ka pasur përmirësim në korrupsionin e përmasave të vogla, megjithatë edhe Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi mungesën e vendosshmërisë në zbatimin e ligjeve që janë aprovuar së fundmi; një problem ngushtësisht I lidhur me dështimin e fuksionimit të “rregullit të ligjit”. Koordinimi midis sistemit gjyqësor dhe qeverisë, kërkon vëmendje më të madhe. Burimet jo të përshtatshme përbëjnë gjithashtu një problem. Korrupsioni në nivel të lartë përbën një sfidë edhe më të madhe; meqënëse disa cështje famëkeqe  korrupsioni ose janë vonuar ose janë pezulluar mbi baza të dyshimta. Dështimi në cuarjen përpara të këtyre cështjeve ka përkeqësuar jo vetëm perceptimin e korrupsionit në Shqipëri, por gjithashtu ka ndihmuar në krijimin e një kulture mosndërshkimi. Këto zhvillime ndihmojnë të kuptohet pse, megjithë përmiresimet e dukshme në luften e korrupsionit në nivel të ulët, perceptimi është që korrupsioni është në ngritje, duke ju referuar Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit në Shqipëri. Eksperiencat personale të korrupsionit duket të jenë ulur që nga 2005, megjithatë 57% e popullatës përsëri raporton të ketë qenë e prekur në një rast korrupsioni (përqindja më e lartë në rajon me një diferencë të madhe me të tjerët).

 

Vizion i së ardhmes

Sistemi shqiptar vazhdon të jetë shumë informal. Ai funksionon falë një strukture pushteti shumë të përqendruar, i cili shpesh vepron jashtë kanaleve të insitutcionalizuar të pranishëm në një demokraci efikase. Kjo situatë është tipike për shtete të emërtuara “regjime hibride”, por veçantia e modelit të Shqipërisë qëndron në polarizimin e fortë të politikës dhe shoqërisë dhe në alternimin e vazhdueshëm të pushtetit në dy partitë e mëdha me struktura të ngjashme pushteti. Kështu sfidat imediate të Shqipërisë përfshijnë: 1) çuarjen përpara të fuqizimit të insitutcioneve demokratike, veçanërisht të gjyqësorit dhe menaxhimit të zgjedhjeve; 2) promovimi i respektit ndaj zbatimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit; dhe 3) shpërbërja e ndërlidhjeve të paligjshme mes biznesit, medias dhe politikës.  

***

FRIDE është një qendër kërkimore e vendosur në Madrid që synon përhapjen e mendimit novator dhe bashkëkohor mbi rolin e Evropës në mardhëniet ndërkombëtare. FRIDE mbështet nismat e reja në fusha të tilla kërkimore me interes si paqja dhe siguria, të drejtat e njeriut, forcimi i demokracisë, ndihma humanitare dhe zhvillimi. Misioni i saj përqendrohet në politikat dhe praktikat e informuara për të siguruar një rol më efektiv të Bashkimit Evropian në mbështetje të multilateralizmit, vlerave demokratikem sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.