Thirrje për aplikim “Forumi i Aktvizimit Rom dhe Egjiptian”

Personat në moshën 18-35 vjec, të motivuar për të marrë pjesë në forumin e aktivizmit Rom dhe Egjiptian organizuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë - Soros janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar formularin. Për të aksesuar formularin ju lutemi të klikoni këtu

Forumi i aktivizmit, tashmë në vitin e tretë të zhvillimit të tij, është konceptuar si një mjedis i kultivimit të aktivizmit qytetar për çështje që prekin komunitetin Rom e Egjiptian si edhe shumë prej shtresave në nevojë. Ky forum është menduar si një proces i ndërtuar nga vetë pjesëmarrësit ku integrohen njohuritë e përfituara në auditor përmes ligjërimit të aktivistëve me përvojë, diskutimeve në grup, njohurive praktike mbi mjetet që mund të përdoren në përpjekje advokuese si edhe ndërmarrjes e nismave konkrete përgjatë dhe pas zhvillimit të forumit.

Forumi do të mbahet në dy ditë gjatë një fundjave të çdo muaji (6 fundjava gjithësej të shtrira në 6 muaj) bazuar në dy linja kryesore: ligjërim mbi aktivizmin dhe trajnim mbi disa aftësi bazë që i nevojiten një qytetari aktiv.

Më konkretisht programi i forumit do të trajtojë tema të tilla si:

  • Trajtim i problemeve me të cilat përballet Komuniteti Rom dhe Egjiptian në  Shqipëri
  • Rëndësia e pjesëmarrjes së qytetarit në demokraci
  • Shkaqet apo faktoret qe kane ndikuar në  krijimin e nje kulture pasiviteti nga shoqëria Shqiptare
  • Aktivizmi në Shqipëri dhe në Perëndim, ilustruar me raste konkrete
  • Ndërtimi dhe mbrojtja e kauzave të përbashkëta duke ju referuar inisiativave të  deritanishme mbi kauza të  ndryshme në  lidhje me komunitetin Rom dhe Egjiptian

 

Në  kuadrin e trajnimit për zhvillimin e aftësive praktike:

  • Komunikimi publik dhe aftësitë argumentuese
  • Marrëdhënia me mediat sociale dhe mediat klasike
  • Ndërtimi i ligjërimit publik
  • Hartim i kërkesave formale; hartim peticionesh, etj
  • Zhvillimi i aftësive për të prodhuar materiale video në funksion të advokimit         

 

Lektorët janë pedagogë të Universitetit të Tiranës, aktivistë të shoqërisë civile dhe ekspertë të  fushave të  ndryshme. Në fund pjesëmarrësit do të pajisen me një certifikatë. Seancat e forumit zhvillohen në Tiranë dhe për pjesmarrësit nga rrethet do të mbulohet shpenzimi i transportit, ushqimi dhe hoteli. Aplikimet jane të vlefshme deri në datën 12 Prill.